Kryetari i Komunës së Kamenicës nga Lëvizja Vetëvendosje, Kadri Rahimaj, ka folur rreth vendimit të Qeverisë për marrjen e mjeteve të pashfrytëzuara nga komunat.
Rahimaj ka thënë se qëllimi i Qeverisë ka qenë shpenzimet e mjeteve financiare nga komunat të jenë më efikase teksa shtoi se gabimi i vetëm i Qeverisë është mosnjoftimi i komunave për marrjen e këtyre mjeteve.
“Kjo iniciativë e qeverisë unë besoj se e ka pasur këtë qëllim që komunat të jenë më efikase në raport me shpenzimin e të hyrave që ato i realizojnë”, ka thënë Rahimaj në Klan Kosova, transmeton Reporteri.net.
“Kjo ka të bëje me shtimin e efikasitetit të secilës komunë veç e veç sepse shumë komunat grumbullojnë mjete të mëdha dhe nuk arrijnë t’i shpenzojnë apo i shpenzojnë për fushata zgjedhore”, shtoi kryetari i Kamenicës.
Sipas tij, komunat nuk po arrijnë t’i shpenzojnë mjetet që i marrim nga qeveria, ndërsa po bëjnë një lloj zhurme për mjete që nuk po mundemi t’i shfrytëzojnë.
“Të vetmin lëshim që mund ta quaj të qeverisë ka qenë mungesa e njoftimit paraprak ndaj komunave. Nëse qeveria do ta bënte paralajmërimin paraprak, atëherë komunat do ta bënin më mirë shpenzimin e mjeteve të tyre”, përfundoi Rahimaj.