Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dhe General Electric (GE) kanë nënshkruar marrëveshje për modernizimin e turbinave me avull të termocentralit Kosova B.
Marrëveshja u cilësua shumë e rëndësishme edhe nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili tha se modernizimi në këtë termocentral ka qenë i domosdoshëm.
Kurti ka thënë se falë kësaj marrëveshjeje, kapaciteti i termocentralit do të rritet e s’do të ketë më nevojë për riparime të shpeshta.
Njësitë e termocentralit, sipas tij janë përdorur përtej kufijve të tyre të funksionimit e barrën më të madhe e ka pasur pikërisht Kosova B.
“Jemi këtu për ta shtruar rrugën legjislative dhe strategjike për sektorin e energjisë. Nënshkrimi i sotëm shënon një ngjarje të rëndësishme për një ndër shtyllat kryesore të energjisë në Kosovë, KEK-un. Njësitë e termocentralit filluan të konstruktoheshin para më shumë se gjashtë dekadash. Që atëherë, ato na kanë ofruar stabilitet në furnizimin me energji të vendit. Madje, ato janë shfrytëzuar përtej kufijve të tyre të funksionimit. Shpeshherë edhe KEK-u na ka thënë se rrezikohen që të mos funksionojnë më. Kosova B si termocentrali më i ri e ka bartur më së shumti ketë peshë. Ceremonia e sotme është një ndër hapat më të rëndësishëm për t’ia hequr këtë barrë, ta rrisim sigurinë tonë të furnizimit dhe stabilitetit të sektorit të energjisë. Rëndësia e modernizimit nuk mund të theksohet aq sa duhet. Kapaciteti i njësive do të rritet nga 14 në 17 megavat. Nuk do të ketë nevojë për riparime të shpeshta, do të nevojiten njëherë në tetë apo nëntë vite”, ka deklaruar Kurti./EO/