Policia në New Mexico të Shteteve të Bashkuara publikoi të dhëna të reja të enjten për të shtënat vdekjeprurëse që ndodhën të mërkurën në Farmington, pasi policët shkuan në një adresë të gabuar dhe qëlluan për vdekje një burrë në shtëpi.
Përmes një deklarate, policia tha se një polic i Departamentit të Policisë së Farmingtonit e qëlloi për vdekje viktimën e identifikuar si Robert Dotson, 52 vjeç, pasi i ishte përgjigjur një thirrjeje për dhunë në familje rreth orës 23 e 30 minuta.
Policët shkuan në zonë, por e vizituan shtëpinë e gabuar, raporton “Fox News”.
“Porsa shkuan në vend, policët gabimisht u futën në adresën “5305 Valley View Avenue” në vend të “5308 Valley View Avenue”. Policët trokitën në derën e hyrjes së adresës 5305 dhe e prezantuan veten si policë të Farmingtonit. Kur nuk pati përgjigje në adresën 5305, policët kërkuan nga informuesi policor që ta thërriste palën raportuese që të dilte te dera e hyrjes”- thuhet në deklaratë.
Dy shtëpitë ndodhen matanë rrugës me njëra-tjetrën. Policia tha se banorët e adresës 5305 e hapën derën të armatosur dhe më pas ndodhi shkëmbimi i zjarrit.
“Pamja nga kamera e trupit tregon se kur policët u larguan nga adresa 5305, pronari i shtëpisë, Robert Dotson, 52 vjeç, e hapi derën i armatosur me një pistoletë. Në këtë pikë të takimit, polici(ët) qëlloi të paktën një fishek nga arma e detyrës, duke e goditur z. Dotson-in”- tha policia.
“Pas të shtënave fillestare, bashkëshortja e z. Dotson, gjithashtu e armatosur me një pistoletë, qëlloi nga rruga e derës së rezidencës. Edhe një herë, polici(ët) qëlluan. Porsa ajo mori vesh se individët jashtë shtëpisë ishin policë, e uli armën dhe i zbatoi komandat e policëve”- thuhet më tej.
Robert Dotson-i u shpall i vdekur në vendin e ngjarjes. Banorja tjetër nuk është lënduar dhe nuk është akuzuar për ndonjë krim, tha policia.
Byroja e Hetimeve e Policisë Shtetërore në New Mexico është duke vazhduar që të mbledhë dëshmi dhe intervista dhe rasti është duke u hetuar. Hollësi shtesë mund të publikohen më vonë.