Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pakoja emergjente 75 milionëshe nga Bashkimi Evropian për përballje me krizën energjetike do të përdoret për përkrahjen dhe mbrojtën e qytetarëve nga kjo krizë.
Mes tjerash, Kurti në takimin ndërinstitucional ndërmjet Qeverisë dhe komunave, ku u diskutua rreth masave të kësaj pakoje, tha se Kosova synon pavarësimin nga lëndët fosile të shteteve “autokratë” duke iu referuar Rusisë.
Sipas Kurtit, kriza energjetike e ka bashkuar më shumë Evropën.
“Rruga drejt të cilës jemi nisur është ajo e pavarësimit nga lëndët fosile të shteteve autokrate që e përdorin për interesa të ngushta, në dëm të të përgjithshmes, pikërisht këtë krizë energjetike të Evropës”.
“Kjo krizë ka rezultuar në një solidaritet drejt një sektori energjetik më të bashkuar, jo vetëm në Evropë por edhe në vendet e Ballkanit. Këtë e kemi kërkuar në çdo takim e forum, që të jemi front i bashkuar në përballjen me krizën energjetike”.
Tutje, ai ka thënë se kanë subvencionuar nëntë mijë familje për blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje, ndërsa me 120 milionë euro janë subvencionuar 208 mijë familje kursimtare.
Kjo asistencë, siç tha ai, do të vazhdojë edhe pas vendimit të fundit të ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
“Ndihma e menjëhershme buxhetore prej 75 milionë eurosh për Kosovën, për ballafaqim me krizën energjetike është jetësim i kërkesave tona dhe i përkrahjes së Bashkimit Evropian për sektorin tonë energjetik. Këtë pako financiare jemi siguruar që ta dizajnojmë mënyrë të tillë që ta rrisim ndikimin e masave që i kemi marrë si qeveri, për t’i përkrahur e mbrojtur qytetarët në përballje me krizën energjetike”.
“Kemi mbështetur mbi nëntë mijë familje, duke ua subvencionuar blerjen e pajisjeve efiçiente për ngrohje gjatë muajve të dimrit. Me mbi 120 milionë euro të ndara kemi subvencionuar direkt faturat e energjisë elektrike për 208 mijë familje kursimtare dhe kemi subvencionuar tarifat e reja për çdo biznes dhe familje që nga shkurti i vitit 2022”.
“Mbështetja për qytetarët do të vazhdojë edhe pas vendimit të fundit të ZRrE-së ku ndër të tjera do të subvencionojmë familjet për konsum të energjisë deri në 800 kilovatë në muaj, kurse grupet e cenueshme siç janë familjet me asistencë sociale do të kenë trajtim të veçantë”.
“Me rreth 9 milionë euro kemi rinovuar e bërë efiçiente 70 ndërtesa publike. Shkolla, çerdhe të fëmijëve, qendra shëndetësore e stacione të zjarrfikëseve, duke e rritur kështu komforin e duke e ulur konsumin e energjisë. Gjatë dimrit që tashmë po e lëmë pas, kemi parë rezultate të menjëhershme të këtyre masave të cilat i kemi ndërmarrë si qeveri, falë mbështetjes së bashkëpunimit me Bashkimin Evropian këto masa të dëshmuara po e shumëfishojnë e ashtu edhe përfitimet për qytetarët e për bizneset e vendit tonë”, ka shtuar kryeministri.
Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se prioritet i Qeverisë është rritja e investimeve në efiçiencë të energjisë.
“Për Qeverinë tonë është top-prioritet rritja e investimeve në efiçiencë të energjisë. Kemi shpenzuar rreth 17 milionë euro në këtë drejtim, më së shumti ndonjëherë në Kosovë”.
Rizvanolli ka thënë se këto masa ishin paraparë për vitin 2025, por se lufta në Ukrainë i ka përshpejtuar ato.
“Ndonëse këto investime ishin paraparë për vitin 2025, ballafaqimi me krizën energjetike si pasojë e luftës në Ukrainë ka shtuar nevojën që të përshpejtohen investimet në efiçiencë, sikurse edhe masat që po prezantohen sot”.
Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se subvencionimi i familjeve që kursejnë energjinë elektrike ka për qëllim që ta zvogëlojë importin e energjisë.
“Kjo masë kishte për qëllim zvogëlimin e importit dhe ruajtjen e ambientit, sepse do shpenzohet më pak energji elektrike, të ruante fuqinë blerëse të familjeve dhe se fundmi kursen edhe buxhetin, sepse në vend që të importonim me çmim 400-500 euro më shumë kishim llogari ta paguanim 120 euro qytetarin tonë”.
Zëvendësshefi i Bashkëpunimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Alessandro Bianciardi, tha se masat do ta rrisin mirëqenien e qytetarëve, teksa ka kërkuar që edhe komunat të ndihmojnë në implementimin e pakos.
“Kjo pako është e dizajnuar për ta ndihmuar Kosovën në krizën energjetike. Sot jemi mbledhur që të diskutojmë për asistencën që do tu bëhet familjeve që jetojnë në ndërtesat shumë-banesore të destinuara për banim social (në pronësi komunale). Masat do t’i përmirësojnë kushtet e qytetarëve dhe në të njëjtën kohë do ta rrisin efiçiencën e energjisë. Shpresojmë që edhe komunat do të ndihmojnë në implementimin e pakos”.
Në takim, përveç se u diskutua për masat e pakos emergjente 75 milionëshe nga Bashkimi Evropian për përballje me krizën energjetike, u hap edhe thirrja publike për aplikim nga Komunat e Republikës së Kosovës.