Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, ka treguar për marrëdhëniet që ka me anëtarët e partisë.
Ai bën të ditur se marrëdhëniet janë të ftohura, teksa theksoi se me urdhër të kryeministrit Albin Kurti, atë e kanë larguar edhe nga një grup në rrjetin social “Whatsapp”, grup ky i përbashkët me deputetët e Grupit Parlamentar.
“Ne e kemi pas një grup në Whatsapp ku janë informuar deputetët e Grupit Parlamentar. Më kanë largu prej aty, me urdhër sigurisht të Kurtit, se aty nuk vendosin të tjerët. Nuk marr informacion, nuk ma kishin dërgu raportin e Qeverisë, që ja kanë dërgu deputetëve të tjerë…tani sigurisht që është një marrëdhënie si të themi e ftohur, e akullt”, tha ai në tëvë1.
Abazi deklaroi se nuk e beson që raportet do të rregullohen.
Sipas tij, “demokracia në Lëvizjen Vetëvendosje ka filluar të vdesë në momentin kur ka fituar në zgjedhje”.
Kohëve të fundit, deputeti Abazi ka kritikuar Qeverinë lidhur me disa vendime të marra, e në të njëjtën kohë ka thënë se Prokuroria duhet ta marrë në pyetje kryeministrin Kurti për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit.
Pas këtyre akuzave, Abazin partia e tij e ka larguar nga pozita e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe anëtarit të Komisionit për Stabilizim-Asociim.