Shefi i kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, në një intervistë për “Përballje” në Telegrafi ka thënë Lista Serbe është befasuar nga numri i qytetarëve në veri që dëshirojnë konvertimin e targave në RKS. Ai thotë se strukturat ilegale në veri kanë filluar një kampanjë terrorizimi, por që sipas tij zgjedhjet do të mbahen me ligje të Kosovës.
Vela ka thënë se KQZ në përgatitjen e zgjedhjeve në veri është duke u koordinuar edhe me faktorët ndërkombëtarë.
“Është e vërtet që ka një presion javëve të fundit, por më shumë kjo lidhet me çështjen e targave. Ka qenë një afat për lirimin nga tatimet për ata që dëshirojnë t’i konvertojnë targat. Mbi 700 qytetarë serbë të Kosovës gjatë marsit kanë bërë konvertimin e targave”.
Ai tha se institucionet e Kosovës do të bëjnë çfarë është e mundur që qytetarëve të Kosovës që dëshirojnë konvertimin e targave t’u ofrohet siguri.
“Strukturat ilegale në veri kanë filluar një kampanjë terrorizimi, me qëllim frikësimin e qytetarëve për arsye se numri i madh i qytetarëve që kanë dëshiruar konvertimin e targave ka qenë i madh. Këtë nuk e kanë pritur as ata vet”, deklaroi Vela.
Shefi i kabinetit të Presidentes thotë se pavarësisht se ka tensione në veri, ka përmirësim të kapaciteteve tona për të menaxhuar situatën në atë pjesë të Kosovës.
“Institucionet tona të sigurisë çdo ditë e më shumë janë duke e shtrirë autoritetin në veri. Në fillim ka pasur rezistim për të komunikuar me pjesëtarët e policisë, javëve të fundit ka pasur shtim të komunikimit, jo në aspektin politik por që çështje të përditshmërisë siç është dhuna në familje, aksidentet apo vjedhjet. Serbët i raportojnë rastet në stacionin e policisë në Leposaviq”.
Vela thotë se shteti është sfiduar nga strukturat ilegale dhe ish-policët, por sipas tij kjo betejë tashmë është e humbur nga ta.
“Lista Serbe dhe Beogradi nuk do të kenë të drejtën e vetos për të penguar zgjedhjet në veri. Ata vet e kanë shkaktuar këtë problem me dorëheqjet e tyre. Zgjedhjet do të mbahen nga institucionet e Kosovës sipas ligjeve të Kosovës”.
Situata nuk është normale në veri shton Vela, por sipas tij situata nuk ka qenë në rregull edhe në të kaluarën në bazë të raporteve ndërkombëtare.
“Për zgjedhjet kemi edhe planin B, por paraprakisht do të njoftohen qytetarët. Sigurisht do të kujdesemi të mos rrezikohet jeta e anëtarëve të KQZ-së dhe qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar tutje Vela.