Gazetari Vehbi Kajtazi ka komentuar mbi përplasjet dhe polemikat e ditëve të fundit sa i përket “Marshit për Drejtësi” të organizuar nga iniciativa “Liria Ka Emër” për çfarë ka thënë se kur i sheh kush ndodhet në panikë, e kupton se çfarë është duke ndodhur.
Kajtazi ka thënë se eksponentë të pushtetit e kanë sulmuar marshin edhe në numrin e pjesëmarrësve fillimisht, por sipas tij nuk ka rëndësi numri, por arsyeja pse kanë dalë e çfarë kanë përfaqësuar njerëzit në atë marsh.
“Kur i sheh kush janë në panikë për këtë, pastaj e merr vesh se pse në fakt dhe çfarë në fakt është duke ndodhur. Janë eksponentë të pushtetit që ende pa përfunduar ky manifestim, kanë nisur e sulmuar direkt manifestimin, fillimisht në numrin e pjesëmarrësve, ndonëse se numri përcaktohet shumë thjesht edhe shumë qartë, ka ekspertë për këtë punë dhe janë matjet standarde, të zakonshme me metër-katror që i kanë sheshet dhe pjesëmarrësit në të, por prapë për mua nuk ka shumë, ndonëse numri ka qenë i madh, nuk ka rëndësi sa ka qenë ky numër, por pse kanë dalë dhe çfarë kanë përfaqësuar.”, tha Kajtazi.
Gazetari Kajtazi ka thënë se Prokuroria ka një strategji të ekspozimit të viktimave shqiptarë në mënyrë që të goditet autoriteti i të akuzuarve në mënyrë që njerëzit të binden se ata kanë vrarë shqiptarë.
Kajtazi thotë se pjesë e kësaj strategjie ka qenë në fakt edhe publikimi i emrave të viktimave të vdekur disa ditë para fillimit të procesit gjyqësor.
“Me nisjen e dëshmive të dëshmitarëve, unë mendoj se ka me pasë ende thellim të përqarjes sepse Prokuroria ka një strategji me i ekspozu sa më shumë viktimat shqiptarë në mënyrë që të goditet autoriteti i të akuzuarve në mënyrë që njerëzit të binden që ata kanë vrarë shqiptarë, kryesisht shqiptarë në fakt dhe për këtë arsye në fakt i kanë publikuar edhe emrat e viktimave, viktimave të vdekur natyrisht disa javë përpara se të fillojë procesi gjyqësor.”, tha Kajtazi.
Ai madje ka marrë një shembull se pse kjo është strategji e Prokurorisë. Kajtazi tha se vendimi për kompensim të viktimave në rastin e Sali Mustafës pa patur një vendim të formës së prerë nga Gjykata është dëshmi e një strategjie të tillë.
“Është strategji e Prokurorisë. Tash po e marr një shembull pse është strategji. Sot ka pasur seancë gjyqësore për kompensim të viktimave në rastin e zotit Sali Mustafa, ata që marrin vesh në drejtësi e dinë që pa aktgjykim të formës së prerë nuk kompensohen viktimat, pra duhet të përmbyllet procesi me u vërtetu nga të gjitha shkallët dhe pastaj të merret vendim për kompensim të viktimave që janë dy lloje të vendimeve, një me padi civile që mund ta bëjë viktima vet dhe një ku gjykata vendosë për kompensimin.”, tha Kajtazi.
Kjo sipas Kajtazit, duke marrë parasysh se shumat e kompensimit janë të mëdha, i bie t’u thuhet dëshmitarëve të tjerë të mundshëm “ejani dëshmoni, se keni me marrë edhe para”.
“Shumat që janë publikuar janë jashtëzakonisht të mëdha. Çka i bie kjo për mua? Kjo është inkurajim për dëshmitarët tjerë të mundshëm në rastin e këtyre që “ejani dëshmoni, se keni me marrë edhe para”, e bajagi para janë. Kështu unë e shoh dhe kështu unë e lexoj sepse me pasë qëllim final kompensimin e tyre e pret shkallën e dytë, kur vendos shkalla e dytë, aktgjykimi bëhet i formës së prerë, pastaj ndjekja e mjeteve të jashtëzakonshme juridike është çështje tjetër, por kur vendoset prej dy shkallëve të gjykatës, atëherë kompensohet. Pse tash? Kur procedurat nuk e lejojnë, procedurat janë tjera.”, tha Kajtazi.
Ai është shprehur se Prokuroria do të bëhet pjesë e luftës që do të ndodh brenda për brenda, madje edhe brenda subjekteve politike.
Kajtazi ka përmendur edhe akuzat e akterëve politikë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për vrasjen e eksponentëve politikë të tyre dhe se po heshtin se ka filluar procesi.
“Prokuroria ka me u bë pjesë përbërëse e kësaj lufte që ka me ndodhë brenda për brenda neve këtu. Përplasjeve që kanë me ndodhë në popull, përplasjeve që kanë me ndodhë edhe mes subjekteve politike sepse ka pasur akuza në drejtim të LDK-së se pse ju nuk po e mbështesni marshin ndërkohë që LDK-ja në të kaluarën vazhdimisht e ka akuzuar PDK-në për vrasje të eksponentëve të saj politikë, tash kur ka nisë procesi po heshtet, por ato dihet se çfarë ka ndodhë në këtë vend, janë deklarata publike.”, tha Kajtazi.