Humbja me Poloninë i ka kushtuar Shqipërisë zbritjen e dy pozicioneve në renditjen e përgjithshme të FIFA-s. Në azhornimin e bërë së fundmi, kombëtarja kuqezi renditet në vendin e 68-të, dy më poshtë se muaji i kaluar.
Skuadra e drejtuar nga braziliani Sylvinho, nuk arriti të merrte një rezultat pozitiv në Varshavë, edhe pse zhvilloi një takim pozitiv. Polonia triumfoi 1-0 sfidën e parë eliminatore të Euro 2024.
Sa i takon Kosovës, dardanët nuk kanë ndryshuar pozicion, duke u renditur edhe këtë muaj në vendin numër 107. Skuadra e Giresse barazoi në dy ndeshjet e para në kualifikueset e kampionatit europian. Fillimisht barazuan 1-1 me Izraelin në Tel Aviv. Tri ditë më vonë, Kosova zhgënjeu në “Fadil Vokrri” duke u ndaluar nga Andorra me të njëjtin rezultat.
Gjashtë vjet pas kryesimit të fundit në renditjen botërore, Argjentina është rikthyer sërish në majën e futbollit botëror. Fitoret e fundit miqësore kundër Panamasë (2-0) dhe Curaçao (7-0) ndihmuan kampionët e botës të rrëzonin nga froni Brazilin. Seleçao pagoi humbjen në miqësoren kundër Marokut me rezultatin 2-1.