Chelsea zyrtarizoi marrëveshjen me trajnerin Frank Lampard i cili zëvendësoi Graham Potter. Ky i fundit zhgënjeu me rezultatet në krye të skuadrës dhe në këtë formë, presidenti Todd Boehly vendosi t’i besonte deri në fundin e sezonit Lampard, një personazh që ambientin e Chelseat e njeh mirë pasi ka shërbyer si lojtar, por edhe si trajner. Numri një i klubit londinez, i uroi mirëseardhjen Lampard, por theksoi se klubi do të vijojë punën për të gjetur trajnerin e sezonit të ri.
“Jemi shumë të lumtur që bashkohemi sërish me Lampard, i urojmë mirëseardhjen. Lampard është një legjendë e këtij klubi. Ndërkohë, që ne vazhdojmë punën për të gjetur trajnerin e ri, duam t’i dhurojmë tifozëve tanë një plan të qartë dhe të qëndrueshëm deri në fundin e sezonit. Duam që skuadra të ketë mundësinë për të pasur sukses dhe Lampard ka karakteristikat dhe kualitetin për të cilin kemi nevojë”, u shpreh Boehly.
Kujtojmë se pretendentët kryesorë për të marrë drejtimin e Chelseat sezonin e ardhshëm janë Luis Enrique, Antonio Conte, Julian Nagelsmann apo edhe Mauricio Pochetino.