Ka përfunduar raportimi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në Komisionin për Punë të Jashtme me largimin e këtij të fundit nga salla.
Ndonëse parashihej që deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi të shtronte edhe një pyetje tjetër, Bislimi megjithatë u largua.
Ndërkohë, ai u pa mjaft i tensionuar me një pyetje të deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica – Xhelili e cila e pyeti për asteriksin apo fusnotën.
Bislimi u duk mjaft i nervozuar me pyetjet e saj, duke mos e lënë që të flasë më.
“Kësi interpretimi të palogjikshëm juridik nuk kam dëgju, kërkoj ndjesë.” – tha ai.
Sërish, Kica-Xhelili tentoi të marrë fjalën duke thënë: “z.Bislimi më fal për ndërhyrjen”
“Unë të dëgjova, nuk ka nevojë, nuk ka nevojë për pyetje shtesë. Nëse doni me u përgjigj unë përgjigjem, a keni ardhë për përgjigje. Po nuk më intereson. Me marrë prej fusnotës një fjali dhe me thënë kjo është fusnota, ky është paragjykim.” – tha ai.
Bislimi shtoi se kanë refuzuar edhe pjesëmarrje nëpër takime, për shkak të fusnotës.
“Se ke refuzu, qe ku e ki kryeministrin me asterisk.” – tha deputetja Musliu – Shoshi.
Këtu pasoi përgjigja e z.Bislimit, e cila u duk mjaftë me arrogancë.
“Se di sa merr vesh, se di sa kupton. Mu më dhem asteriksu, se kom ditë që juve ju gëzon asteriksu. Unë thash, po ju po refuzoni, se po rrin në telefon, a po merr instruksione apo nuk e di.” – tha ai.
Ndonëse Musliu-Shoshi parashihej që të bënte edhe një pyetje, siç edhe e konfirmoi drejtuesja e mbledhjes, zëvendëskryeministri u largua nga salla.
“Fillimisht, kur i mungon argumenti, qohet me gënjeshta. Andin Hoti ka thënë që nuk i ka informatat për të drejtat e njeriut, sepse ato i keni ju dhe ia delegoni atij. Ne e kemi dërgu kërkesën më 14 refuzu, po ti e ke refuzu.” – deklaroi Shoshi derisa zëvendëskryeministri po largohej.