Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi, është deklaruar rreth takimit që ka zhvilluar të martën në Bruksel me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.
Sipas tij, agjenda e asaj dite kishte dy pika. E para siç thotë Bislimi ishte që diskutohet për zbatimin e aneksit të dakorduar në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë, kurse e dyta për çështjet aktuale.
Ai tregoi një ide të diplomatit sllovak. Bislimi shprehet se Lajçak propozoi që të ketë sekuencim. Pra, njëra palë bën diçka e pastaj pala tjetër.
Po ashtu, zv/kryeministri Bislimi theksoi se deri të premten, të dyja palët do të diskutojnë rreth sekuencimit.
Bazuar në këto komente del edhe drafti tjetër ku do të takohemi prapë dhe do të dakordohemi, vijoi Bislimi.
“Këtu nuk mund të themi që Kosova po bën diçka apo Serbia por të dyja palët. Jemi dakorduar që deri të premten t’i dërgojmë komentet e tona lidhur me sekuencimin”, u shpreh ai sonte në një intervistë për “Kallxo Përnime”, që transmetohet në RTV Dukagjini.