Djali i vëllait të Jakup Krasniqit, Dardan Krasniqi ka treguar se fjalimin e sotëm të thënë para trupit gjykues në Gjykatën Speciale ish-kryeparlamentari i Kosovës e ka shkruar vetë.
Dardan Krasniqi në emisionin “Ditari”, ka thënë se dihet botërisht që ish-zëdhënësi i UÇK-së ka kapacitet, nivel dhe guxim që gjërat t’i shkruajë dhe t’i thotë ashtu siç i mendon.
“Natyrisht, Jakup Krasniqi ju e dini që është njeri i letrave, njeri i shkrimeve nuk mund të mohoj që në ato shkrime mund të ketë dorë edhe pjesa e mbrojtjes, sepse është një ekip që punon, është normale. Dihet botërisht që Jakup Krasniqi ka kapacitetin, nivelin, guximin që gjërat edhe t’i shkruaj edhe t’i thotë ashtu siç mendon. Diçka të tillë pamë edhe sot, nuk ishte diçka e re”, ka thënë Krasniqi për Tëvë1.
Dardani ka treguar se ka kontaktyar me vajzën e Jakup Krasniqit, Gresën, e cila ka përcjellur mesazhet e tij, ku ka thënë se është i bindur që krejt kjo është një humbje kohe.
“Kam kontaktuar me Gresën dhe të tjerët që janë atje kanë përcjellë të falat dhe mesazhet e tij që janë mesazhe gjithmonë inkurajuese. Janë mesazhe të vazhdimit të qëndrimit vertikal, e drejta dhe drejtësia do të triumfojë. Ai është i bindur dhe besoj fuqishëm që pas krejt këtyre gjërave nuk ka asgjë tjetër ndoshta përveç një humbje kohe e kotë e lirisë së tij edhe personale e një barre të rëndë edhe për shoqërinë, sepse ata nuk përfaqësojnë thjeshtë personalitetin e tyre atje, por përfaqësojnë shumë ma shumë se çka lidhet me shtetin e Kosovës dhe ky është shqetësimi më i madh i tij dhe jo shqetësimi personal”, ka dejkaryar nipi i Jakup Krasniqit.
Tutje, ai ka thënë se e gjithë familja Krasniqi e ka përjetuar burgun dhe e dinë se si është përjetimi i tij.
“Si familje të gjithë pothuajse kanë qenë të burgosur në vitin ’81, shumica prej tyre duke përjashtuar disa që nuk kanë qenë gjendur këtu fizikisht për arsye të kohës. E gjithë familje e ka përjetuar burgun dhe e dinë se çka do të thotë ai. Natyrisht burgjet jugosllave kanë qenë shumë të rënda dhe e kanë përjetuar drejtpërdrejt diçka të tillë”, shtoi ai.
Sipas Dardan Krasniqit, ky gjykim është diçka e fundit që e ka pritur Jakup Krasniqi.
“Jakup Krasniqi tashmë është 72-vjeç dhe krejt veprimtaria e tij, qëllimi jetësor diçka të fundit që e ka pritur ndoshta do të ishte kjo dhe krejt natyrshëm që kjo as nuk pritet mirë dhe zgjon emocione të mëdha, sidomos tek ata që edhe më herët kanë përjetuar diçka të ngjashme”, tha ai.
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, është duke u gjykuar nga Gjykata Speciale, ku akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që dyshohet se janë kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë.