Në Bruksel ka përfunduar takimi trepalësh në mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Pas këtij takimi, ku u diskutua zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, Bislimi ka paralajmëruar për mundësinë e një takimi në nivel të liderëve të të dyja vendeve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, brenda muajit prill.
Para këtij takimi, Lajçak kishte takuar përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë ndarazi, ndërsa ishte takuar edhe me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Derek Chollet.
Pas takimeve me Bislimin dhe Petkoviqin, i dërguari evropian, Miroslav Lajçak, ka shkruar në Twitter se, veç zbatimit të marrëveshjes, do të diskutohet edhe për “çështjet aktuale urgjente”.
Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, tha sot se gjatë bisedimeve në Bruksel është rënë dakord në parim që takimi i radhës i nivelit të lartë të jetë më 22 prill, por ka theksuar se data ende nuk është e sigurt.
“Për momentin nuk është e sigurt sepse ka indikacione se presidenti i Serbisë nuk mund të vijë në atë datë dhe mund të shqyrtohen data alternative”, tha Bislimi para gazetarëve, shkruan tanjug.
Ai ka theksuar se pala e Kosovësgjatë ditës ka pasur disa takime dypalëshe e më pas trepalëshe, me emisarin Lajçak dhe kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq./rtk/