Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 mund të organizohen në Kosovë.
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) e ka shpallur kandidaturën e organizimit të kësaj gare prestigjioze pas shtatë vjetësh nga tash.
Afati i fundit për aplikimin për Lojërat Mesdhetare për vitet 2027 dhe 2030 skadoi më 31 mars dhe me këtë rast, Portugalia kandidoi për Lojërat Mesdhetare në Plazh të vitit 2027, kurse Kosova tri vjet më pas.
Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) bëri të ditur se KOK-u duhet të dorëzojë dosjen e kandidaturës deri në fund të qershorit, ndërsa Komisioni Vlerësues i ICMG-së do të organizojë ndërkohë vizita inspektuese në Kosovë, shkruan Gazeta Express.
Lidhur me këtë, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, mbajti një konferencë të përbashkët me kryeministrin, Albin Kurti.
Mes tjerash, Kurti bëri të ditur se është arritur marrëveshja me Shqipërinë që ky eveniment sportiv të zhvillohet edhe në bregdetin shqiptar, për sportet që kërkojnë qasje në det.
Kryeministri kosovar gjithashtu tha se organizimi i Lojërave Mesdhetare në Kosovë do të shënojë moment historik.