Gjatë ditës së sotme në seancën e radhës të Gjykatës Speciale e pati fjalën mbrojtja e katër ish-krerëve të UÇK-së. Por, duket se përkrahësit e Kurtit kanë gjetur mundësinë për të sulmuar sërish ish-kundërshtarin e tyre politik. Ku saktësisht?
Gjatë ditës së djeshme, pretendimet e ngritura nga Prokuroria Speciale (ZPS) çoi shumë pluhur në Kosovë dhe bëri që të kishte debate të shumta mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të ish-politikanëve që ndodhen në Hagë.
Por, duket se debatet do të jenë edhe më të shumta pas fjalës që e patën avokatët mbrojtës.
Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Koehe, gjatë shpalosjes së fjalës së tij hyrëse tregoi edhe pse Thaçi sipas tij nuk kishte pasur ndikim te komandantët e zonave.
“Z. Thaçi ishte përzgjedhur udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Rambuje. Nuk kishte kontroll atëherë mbi UÇK-në. Hashim Thaçi nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë pa pëlqimin e komandantëve të zonave… Ky fakt mjafton (për të treguar) se nuk ka pasur strukturë komanduese apo kontrolluese nga Hashim Thaçi. Ai nuk kishte kontroll efektiv mbi UÇK-në, dhe as pushtetin përfundimtar mbi UÇK-në.” – argumentoi ai.
Fatkeqësisht, fjalët e z. Koehe dhe të avokatëve tjerë mbrojtës duket se janë dredhuar në atë mënyrë që të ndërtojnë një narracion të ri nga përkrahësit e kryeministrit Kurti.
“Thaçi ka qenë UÇK vetëm gjatë fushatave zgjedhore!” – tha aktivisti i shquar i VV-së, z. Enis Sulstarova.
Ndërkohë, edhe më i ashpër ishte aktivisti Rron Gjinovci.
“Dy rezultate janë të mundshme nga ky proces gjyqësor: 1. Disa përfundojnë në burg si përgjegjës për krime kundër njerëzimit ose për mosparandalimin e tyre; 2. Lirohen të pafajshëm dhe dëshmu që s’kanë pasë kurrfarë roli drejtues në luftë.” – tha aktivisti i shoqërisë civile dhe mbështetësi i kryeministrit Kurti, Rron Gjinovci.
Por, në fakt Koehe nuk pretendoi se Thaçi “nuk kishte qenë” në UÇK siç u theksua nga z. Sulstarova apo se “nuk kishte pasur kurrfarë roli drejtues” siç pretendoi z. Gjinovci.
Një gjë të tillë mund ta evidentoni duke shikuar gjithë deklarimet e bëra në mënyrë të pavarur.
Ish-kryeministri Kurti në vitin 2020 e akuzonte presidentin e atëhershëm Thaçi se kishte “kënduar si bilbil” për t’i (sic) dhënë shokët e tij.
“A është ai që thoshte në Euronews se jam larg vijave të frontit. Çka i bjen kjo? Merrni ata që janë në vija të frontit se unë jam larg. Merrni shokët e mi se unë kam qenë larg. Kështu i bjen kjo punë.” – shprehej në atë kohë Kurti.
Besohet që për këto akuza mund të ketë ende faj armiqësia e dikurshme e Thaçit me Kurtin./nacionale/