Komunikacioni rrugor në Kosovë, e sidomos në Prishtinë dhe rrethinë është shumë i ngarkuar. Përveç kësaj, me çmimet e larta të derivateve, që u pasuan si rrjedhojë e inflacionit, udhëtimi nga një qytet në tjetrin është bërë i kushtueshëm, raporton Gazeta Papirus.
Në anën tjetër, komunikacioni hekurudhor del të jetë shumë më ekonomik dhe me i sigurt.
Hekurudhat e Kosovës në vitin 2011 janë ndarë në dy kompani të reja, Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës Sh.A “INFRAKOS” dhe Operimi me Trenat në Hekurudhat e Kosovës Sh.A “TRAINKOS”
Infrakos Sh.A merret me menaxhimin e rrjetit hekurudhor dhe organizon komunikacionin hekurudhor, po ashtu menaxhon stacionet dhe tërë patundshmërinë e ish-Hekurudhave të Kosovës, ndërsa operatori Trainkos Sh.A merret me transportin e udhëtareve dhe të mallrave në rrjetin hekurudhor qe është e obligueshme qe nëpërmjet Ekspozeut të rrjetit hekurudhor të ia paguaj shfrytëzimin e trasesë (rrjetit hekurudhor) kompanisë Infrakos Sh.A.
Në një email dërguar nga Gazeta Papirus Sh.A. INFRAKOS-it dhe përcjellur edhe në Sh.A. TRAINKOS, kjo e fundit ka kthyer përgjigje negative, duke thënë se për të gjitha pyetjet e parashtuara kompetente është INFRAKOS-i.
“Mund te drejtoheni tek ndërmarrja Infakos per kete teme.”
Ndërkaq, Refet Çitaku, nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun dhe Media nga INFRAKOS, tha se relacioni Prishtinë – Fushë Kosovë – Pejë dhe anasjelltas është në funksion e cila linjë i ka dy vajtje dhe dy ardhje brenda ditës.
Çitaku theksoi se sa i përket lidhjes së Kosovës në planin hekurudhor me qytet e tjera brenda Kosovës linja hekurudhore Fushë Kosovë – Hani i Elezit, është në fazën e punimeve e paraparë si faza e parë e projektit e linjës se 10-të hekurudhore i cili segment hekurudhor ka një gjatësi prej 54 km, faza e dytë vazhdon nga Fushë Kosova për në Mitrovicë me gjatësi prej 34 km dhe faza e tretë është Mitrovicë – Leshak me gjatësi prej 49,9 km.
Në fazën e parë Elez Han – Fushë Kosovë janë ende duke i zhvilluar punimet, ndërsa për fazën e dytë Fushë Kosovë – Mitrovicë ai deklaroi qe është nënshkruar kontrata dhe kanë filluar punimet në fund të vitit 2022, ndërsa faza e tretë Mitrovicë – Leshak është ende pa u nënshkruar kontrata.
“Në fazën e parë Elez Han – Fushë Kosovë janë ende duke i zhvilluar punimet, ndërsa për fazën e dytë Fushë Kosovë – Mitrovicë ju informoj qe është nënshkruar kontrata dhe kanë filluar punimet në fund të vitit 2022, ndërsa faza e tretë Mitrovicë – Leshak është ende pa u nënshkruar kontrata” tha Çitaku për Gazetën Papirus.
Ndërsa projekti për lidhjes e Kosovës me vendet fqinjë si Shqipëria dhe Maqedonia ai deklaroi se është bërë projekt dizajni dhe studimet e fizibilitetit për të gjitha linjat ekzistuese në rrjetin hekurudhor dhe se INFRKOS është në përpjekje qe bashkërisht me Qeverinë e Republikës së Kosovës t’i gjejnë fondet dhe t’i jetësojnë këto linja si psh: korridori i 7-të, Fushë Kosovë – Prishtinë – Merdar (kufiri me Serbinë), Prishtinë – Fushë Kosovë – Prizren etj.
Ndërsa sa i përket emërimit të Bordit Drejtues të INFRKOS, i cili u emërua javën që lamë pas, Çitaku njoftoi se Bordi i Drejtorëve si organ kolegjial qe ka për qëllim drejtimin e kompanisë tanimë është me mandat të plotë dhe tha se presin përkrahje dhe përkushtim të plotë në mënyrë qe nëpërmjet këtij organi më të lartë në kompani të kenë mbështetje të fuqishme edhe nga aksionari (Qeveria e Republikës së Kosovës) dhe t’i realizojnë projektet e parapara për një hekurudhë moderne me standarde evropiane e cila do të ndikoj pozitivitet të fuqishëm në ekonominë e vendit.
“Ju njoftoj qe Bordi i Drejtorëve si organ kolegjial qe ka për qëllim drejtimin e kompanisë tanimë është me mandat të plotë dhe presim përkrahje dhe përkushtim të plotë në mënyrë qe nëpërmjet këtij organi më të lartë në kompani të kemi mbështetje të fuqishme edhe nga aksionari (Qeveria e Republikës së Kosovës) dhe t’i realizojmë projektet e parapara për një hekurudhë moderne me standarde evropiane e cila do të ndikoj pozitivitet të fuqishëm në ekonominë e vendit” deklaroi Refet Çitaku.
Si përfundim, zyrtari për Marrëdhënie me Publikun dhe Media nga INFRAKOS, Refet Çitaku tha se për hir të transparencës janë të përkushtuar qe të ju mbajnë të informuar mediat për çdo ndryshim eventual qe janë në interes të opinionit public./Gazeta Papirus/