Sejdi Hoxha ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit ekzekutiv të ndërmarrjes publike Posta e Kosovës. Ai deklaroi se arsyet e dorëheqjes janë angazhimet politike dhe akademike.
Ai përmes një njoftimit për media, ka thënë se donë të jetë shembull i mirë dhe që sipas tij, në asnjë moment dhe rrethanë nuk dëshiron që dikush të mendoj që ai mban pozicionin e tij publik për të përfituar politikisht.
“Jam krenar me atë qe kam bërë gjatë ushtrimit të detyrave të mia në të gjitha pozitat institucionale që kam qenë deri më tani”, thotë ai.
Prandaj, sipas tij, meqenëse zgjedhjet janë afër, ai do angazhohet maksimalisht në fuqizimin e subjektit të tij politik”.
Sipas tij, gjatë ushtrimit të këtij funksioni në Postën e Kosovës për shtatë vite, ai ka arritur disa suksese.
Hoxha kujton se si në vitin 2012 kur Posta u nda nga ish-PTK-ja trashëgoi një gjendje të vështirë financiare ku humbja financiare ishte rreth 3 milionë euro në vit dhe ku ofroheshin vetëm dy lloje të shërbimeve.
“Me punën tonë të përbashkët arritëm që për këto vite ndërmarrjes t’i krijojmë dhjetëra shërbime të reja duke filluar nga shërbimi i kryerjes së të gjitha llojeve të pagesave, shpërndarjen e skemave sociale e deri te aplikimi dhe dhënia e kredive në zyrat postare. Të gjitha këto shërbime dhe shumë shërbime tjera mundësuan që për një periudhë të shpejt ndërmarrja të punojë pa humbje financiare, përfshirë edhe 6 mujorin e parë të këtij viti të cilin Posta e mbyll me bilanc pozitiv financiar”, thotë Hoxha.
Ai shton se arritën që të krijojnë bashkëpunime të ngushta me administrata postare ndërkombëtare dhe Postës t’i sjellin donacione të ndryshme të cilat përmirësuan dukshëm kushtet e punës për punonjësit.
Hoxha shprehu falënderime për të gjithë punonjësit e Postës së Kosovës dhe Bordin e Drejtorëve për mbështetje te vazhdueshme, angazhimin dhe bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional.
“Në çfarëdo pozite institucionale që do të jem në të ardhmen, do të angazhohem për të ndihmuar dhe përkrahur Postën e Kosovës si dhe punonjësit e saj, të cilët me mund dhe sakrificë punojnë për të siguruar mirëqenien e familjeve të tyre”, përfundon letra e dorëheqjes së Sejdi Hoxhës.
Ndryshe, para pak muajsh, Sejdi Hoxha është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Drenas.