Në ditën e dytë të gjykimit kundër ish-krerëve të UÇK-së, sot fjalën e saj do ta ketë mbrojtja e të akuzuarve.
Në seancën e cila do të fillojë në orën 09:00 sipas kohës lokale në Kosovë, por që sinjali i transmetimit vjen për 45 minuta me vonesë, për shkaqe sigurie, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, avokatët mbrojtës të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në pika të shkurtra, do të paraqesin mbrojtjen e tyre kundër akuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Bazuar në kalendarin e Dhomave të Specializuara, seancat në rastin “Thaçi e të tjerët” do të vazhdojnë edhe me 5 prill, pastaj me 11, 12, 13 dhe 17, 18, 19 e 20 prill.
Në Gjykatën Speciale dje nisi procesi gjyqësor, ku katërshja e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm për akuzat që i ngarkojnë me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, e që lidhen me luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.
Për mbledhjen e provave, prokurorët thanë se kanë përdorur komunikata të UÇK-së, intervista televizive, dokumentarë, si dhe shënime personale, të gjetura në shtëpitë e disa prej të akuzuarve.