Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë një postim në Facebook në të cilin ka sulmuar Gjykatën Speciale duke dalë në mbrojte ndaj ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë.
Aliu në këtë shkrim ka përmendur edhe ish-presidentin Thaçi dhe të tjerët, duke thënë se “gjenerata që e çliroi më në fund Kosovën, po përballet me padrejtësinë e radhës”.
“Brez pas brezi luftëtarët tanë janë përballur me padrejtësitë. I kemi dëgjuar historitë e tyre prej më të vjetërve, qysh kur kemi qenë fëmijë, jemi rritur me ta, jemi angazhuar krah për krah, dhe kemi ndarë sfidën e sakrificën bashkë me ta. Sot luftëtarët tanë të lirisë, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, gjenerata që e çliroi më në fund Kosovën, po përballet me padrejtësinë e radhës. Por e bardha nuk nxihet dot nga shpifjet. Jam i bindur se ata do të triumfojnë. UÇK-ja është e shenjtë, luftëtarët dhe prijësit e saj janë heronj!” – ka shkruar Aliu.