Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi se nesër Finlanda do të bëhet zyrtarisht anëtare e NATO-s, raporton Anadolu.
Stoltenberg para Takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s që do të mbahet më 4-5 prill në selinë e NATO-s në Bruksel zhvilloi një konferencë për media.
Ai tha se në ditën e parë të mbledhjes Finlanda do të shpallet anëtarja e 31-të ndërsa flamuri i saj do të ngrihet në selinë e NATO-s. Stoltenberg tha se kjo do të bëjë më të sigurtë vendin në fjalë dhe më të fuqishme Aleancën.
Stoltenberg ripërsëriti shpresën që edhe procesi për anëtarësimin e Suedisë të përfundojë sa më shpejtë.
Menjëherë pas Samitit të Madridit të mbajtur në qershor 2022, shumica e vendeve të NATO-s nisën procesin e miratimit për anëtarësimin e dy vendeve. 20 vende të NATO-s përfunduan procesin në korrik, 4 në gusht dhe 4 në shtator.
Së fundmi më 27 mars Kuvendi i Hungarisë miratoi protokollin për anëtarësimin e Finlandës në NATO. Miratimi i protokollit nga Kuvendi i Madh Popullor i Türkiye-s u bë më 30 mars.
Procesi i anëtarësimit të Finlandës në NATO përfundoi brenda më pak se një viti, duke e bërë atë një nga proceset e anëtarësimit më të shpejtë në historinë 74-vjeçare të Aleancës.