Gjatë deklarimit të Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë për aktakuzën ndaj ish-Krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata rikthyen “Komunikatën 59” si dhe deklarimin e ish-Shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi se ajo komunikatë ishte shkruar nga ish-Presidenti, Hashim Thaçi, raporton Insajderi.
Prokuroria risolli një intervistë të Selimit në Debat Plus. “Atë që komunikatën e ka shkruar një individ dashakeqë pajtohem plotësisht, ai është Hashim Thaçi. Komunikatën 59 e ka hartuar dhe lëshuar Hashim Thaçi”, thotë Selimi në intervistën e rikthyer nga ZPS.
Mëpastaj prokuroria tha se në intervistën e mëvonshme që Selimi ka zhvilluar me Zyrën e Prokurorit të Specializuar ai ka qëndruar në atë deklarim të mëparshëm.
Selimi i konfirmoi ZPS se ishte Hashim Thaçi ai që kishte shkruar Komunikatën 59. Dhe përshkroi se në vitin 98 Hashim Thaçi ia kishte lexuar tekstin e komunikatës në telefon satelitor, duke thënë se qëllimi ishte të shkatërrohej plotësisht personi”, tha ai.
Më pastaj prokurori pretendon se “Hashim Thaçi në këtë komunikatë përdori etiketimin e kolaboracionistit në këtë komunikatë për të njollosur dhe shkatërruar dikë”.
Në Komunikatën e famshme 59 kërkohej vrasja e Gani Gecit dhe ka kohë që ajo ka qenë njëra nga pikat më të nxehta të debatit në vend.