Qytetarë të shumtë janë duke qëndruar para Gjykatës Speciale, ku është duke u mbajtur gjykimi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Derisa seanca gjyqësore ishte duke u mbajtur, protestuesit kanë nisur të këndojnë këngë për Kosovën.
Gjithashtu, me vete ata kishin pankarta ku kërkohej liria e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
Mbështetje të madhe kanë marrë edhe ditën e diel ish krerët e UÇK-së, ku në sheshin “Zahir Pajaziti”, u mbajt Marshi për Drejtësi që mblodhi mijëra qytetarë.
Ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998/99.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Në paraqitjet e tyre para gjykatësit të procedurës paraprake ata janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza ndaj tyre ishte konfirmuar në nëntor të vitit 2020 për t’u ndryshuar pastaj më 3 shtator 2021, 29 prill dhe 30 shtator 2022.