Ideatorja e platformës “Liria ka emër”, Eliza Hoxha, gjatë fjalimit të saj në “Marshin për Drejtësi”, i cili është duke u mbajtur në sheshet e Prishtinës ka thënë se edhe pse 24 vite më parë janë dëbuar shqiptarët nga paralimtarët serb, prapë janë kthyer që t’i mbushin sheshit plotë për festimin e çlirimit, raporton teve1.info.
“Sot, 24 vite më parë Prishtina ishte shndërruar në një qytet fantazmë. Njerëzit ishin dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre nga ushtria dhe paralimitarët serb kishin mësyer stacionin e vjetër të trenit. Ai stacion që kishte qenë i mbyllur për më shumë se 10 vite në atë kohë u hap atë ditë për të na dëbuar jashtë Kosovës në një rrugë pa kthim. Por, ne u kthyem e këto sheshe u mbushën prapë për të festuar çlirimin, për të festuar pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka treguar kohen kur ka punuar fotografe dhe ka kujtuar momentet e fitores, që sipas saj do të ishin të pamundura pa guximin e pjesëtarëve të UÇK-së.
“Si fotografe e re në atë botë i mbaj mend shkrepjet e fytyrave me lot gëzimi kur të gjithë bashkë shënonim ato fitore të mëdha. E këto fitore do të ishin të pamundura pa guximin, luftën dhe vetëmohimin e djemve dhe vajzave më të mira të këtij vendi të UÇK-së. Gjatë këtyre dy javëve anë e kënd Kosovës, bashkë me Ismailin e kanë rijetuar historinë tonë. E kam ndier dhimbjen e nënës Ferdonije, në guximin e Shyhretës dhe Vasfijes, në stoicizmin e Fahrije Hotit dhe në qendrës e bacës Bajram”, ka thënë ideatorja.
Për fund ajo ka thënë se ky shesh do të jetë i mbushur plotë në ditën kur do të kthehen ish-krerët e UÇK-së.
“UÇK na bashkon të gjithëve pa dallim, thirrja për drejtësi na bashkon, e unë jam e bindur që ky shesh do të buqojë sërish në ditën e kthimit të çlirimtarëve tanë”, ka thënë Hoxha. /teve1.info/