Serbi i arrestuar sot në veri të Mitrovicës nën dyshimin për përfshirje në rastin e sulmit me armë zjarri ndaj njësisë së Policisë së Kosovës dhe djegie të veturave në veri, dyshohet se ka kërcënuar pjesëtarët e komunitetit serb që ta braktisin Forcën e Sigurisë së Kosovës.
I arrestuari M.B. (emri dhe mbiemri të njohur për redaksinë), përveç përfshirjes në sulmin me armë zjarri ndaj njësisë së Policisë së Kosovës, ku zyrtarët policorë ishin plagosur dhe djegies së veturave në rajonin e Zubin Potokut, siç merr vesh Telegrafi dyshohet se është i përfshirë në një grup që ka kërcënuar pjesëtarët e komunitetit serb që ta braktisin Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se serbi i arrestuar sot në veri të Kosovës, i cili dyshohet se plagosi dy zyrtarë policor dhe dogji disa vetura me targa RKS, është pjesë e strukturës kriminale të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile”.
Ndryshe, presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së fillimisht ishin bërë përmes paraburgimeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, e më pas edhe me deklaratat e autoriteteve serbe se atyre iu kërcënohet dënimi deri me 10 vjet, për shkak të pjesëmarrjes në formacionet e huaja të armatosura, shkruan Telegrafi.
Në muajin shkurt të vitit 2018, në Zubin Potok janë parë afishet, në të cilat në mënyrë të hapur kërcënohen pjesëtarët serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Afishet ishin të nënshkruara nga e ashtuquajtura “Armata e Veriut”, e cila ka bërë thirrje që këta pjesëtarë serbë të FSK-së, “të mos lejohen të jetojnë dhe punojnë në Zubin Potok dhe të mos lejohet që atyre t’iu ndihmojë Komuna e Zubin Potokut dhe kryetari i saj”.
Në ato afishe, janë renditur emrat dhe mbiemrat e shumë pjesëtarëve të Forcave të Sigurisë së Kosovës, me kërcënimin se nuk do të mund t’i ruajë as Policia e Kosovës e as komuna.
Në fund të muajit nëntor të vitit 2017 në shtëpitë e dy pjesëtarëve serbë të FSK-së në Zubin Potok, janë hedhur mjete shpërthyese.
Si pasojë e presioneve nga Beogradi gjatë vitit 2018, brenda një periudhe të shkurtër kohore FSK-në e kishin afër 40 pjesëtarë të minoritetit serb.