Mosmarrëveshjet për borxhe shpeshherë shkaktojnë incidente të ndryshme në vendin tonë, të cilat eskalojnë në përleshje e kanosje. Si rrjedhojë e kësaj prishen miqësi e lidhje familjare dhe lindin konflikte serioze.
Një rast i tillë ka ndodhur të premten në Prishtinë, ku një 26-vjeçar po dyshohet se e ka kërcënuar një person përmes disa mesazheve.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur për shkak të borxheve që i dyshuari pretendon se viktima i ka ndaj tij dhe nuk kishte arritur t’ia kthente. Për pasojë, ai u ballafaqua me kërcënime serioze, për çka u detyrua ta raportojë rastin në Polici.
Kështu kanë bërë me dije burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë dhe kanë njoftuar se viktima kishte pranuar mesazhe kërcënuese në numrin e tij kontaktues, që i kanë shkaktuar frikë e shqetësim.
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar të dyshuarin dhe ka dhënë deklaratën e tij lidhur me atë që kishte ndodhur mes tyre.