Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka bërë me dije se familjarët e personave të pagjetur janë ende në lufte me Serbinë.
Ai ka thënë se ata çdo ditë zgjohen me ankthe nëse do të mund ta marrin ndonjë informacion për të afërmit e tyre.
Duke rrëfyer përvojën e tij personale, ai ka thënë se që 24 vite është në përpjekje të gjetjeve të gjurmëve të babait të tij.
“Familjet që presin familjarët e tyre janë ende në luftë me Serbinë, sepse ende çdo ditë zgjohen me shpresën dhe ankthin që mund të marrin informacione për më të dashurit e tyre…E kujtoj takimin e fundit që e kam bërë me babin, krejt çka mbajë mend janë disa grila në mes – ai në njërën anë e unë në tjetrën…”, është shprehur Hoti.
Ndër të tjera, ai ka treguar se gjatë kësaj periudhe kohore shumë herë nga persona të ndryshëm kanë tentuar ta mashtrojnë.
“Kjo ka ndodhur disa herë. Së fundmi më ka ndodhur para dy viteve, më janë kërkuar njëherë 200 mijë e më pas 400 mijë euro, në këmbim të informacionit se babi është diku gjallë”, ka treguar ai./atv/