Është nënshkruar memorandum mirëkuptimi mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, bashkëpunim mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), dhe ShA ESM (Centralet Elektrike të Maqedonisë së Veriut –EMV).
Në këtë bashkëpunim përfshihen fusha si shkëmbimi i njohurive dhe përvojave në lidhje me diversifikimin e teknologjive për prodhim dhe përgatitjes së planeve të përbashkëta për tejkalimin e situatave të jashtëzakonshme energjetike.
“ Shkëmbimit të njohurive dhe përvojës në lidhje me diversifikimin e teknologjive për prodhim, palët synojnë të fokusohen në shqyrtimin e të gjitha opsioneve të disponueshme për shkëmbimin e qymyrit me energjinë elektrike, bashkëpunimin profesional, sigurimin e shkëmbimit sa më efikas të energjisë dhe burimeve në lidhje me prodhimin e energjisë elektrike përmes optimizimit të prodhimit dhe përgatitjes së planeve të përbashkëta për tejkalimin e situatave të jashtëzakonshme energjetike dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët” thuhet në komunikatën për media.
Sipas komunikatës, ky bashkëpunim bëhet me qëllim të sigurimit të furnizimit të pandërprerë me energji elektrike në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
“Kriza energjetike ndikoi në të dy vendet duke qenë se janë të varura nga importi i energjisë elektrike dhe për të siguruar prodhim të qëndrueshëm të energjisë elektrike dhe termike gjatë krizës, u bënë përpjekje shtesë për funksionimin efikas dhe të pandërprerë të njësive prodhuese. Prandaj, ky memorandum do të ndikoj pozitivisht në uljen e varësisë nga importi i energjisë elektrike për të dyja vendet”, thuhet tutje në komunikatë.