Organizata e Veteranëve të Luftës i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në “Marshin për Drejtësi”, por që sipas tyre, kanë bërë ndasi mes ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se nga LVV të përmendet vetëm Rexhep Selimi, përveç se është e ulët, ai ka thënë se është edhe kundër të vërtetës dhe historisë, raporton teve1.info.
Klinaku ka thënë se si organizatë kanë qenë dhe janë kundër Gjykatës Speciale, sepse konsiderojnë se është përpjekje për ndryshimin e së vërtetesës dhe historisë.
“Atje i kemi 8 bashkëluftëtarë, që prej tyre janë dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së që ishin kundër kësaj pseudodrejtësie, por kemi dhe të tjerë që luftën e kanë bërë së bashku nën emblemën e UÇK-së, e të përmendet vetëm Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, përveçse është e ulët, është edhe kundër të vërtetës dhe historisë”, ka shkruar Klinaku në Facebook.