Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë akt oportunist pas mbështetjes së “Marshojmë për Drejtësi”, meqë ka ofruar mbështetjen dy ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka dëgjuar për një marsh të këtillë.
Molliqaj në postimin e tij ka thënë se mbrojtja e UÇK-së duhet të tejkalojë politikat ditore dhe duhet t’i mbizotërojë pozicionet e pushtetit.
“Marshi është lajmëruar tash sa kohë. Kryeministri parëmbrëmë, në inat e sipër, teksa arsyetonte “Zajednicën”, na tha se nuk ka dëgjuar gjë për këtë marsh. Por, Partia sot i paska bërë llogaritë: Marshi për Drejtësi do të gjejë mbështetje popullore, andaj dalim edhe ne. E lexueshme, ku ka numra e masë, aty e keni VV-në oportuniste. Kjo është e kundërta e rrugës së saj. UÇK është udhëhequr nga guximi, dhe jo nga disponimi i dobët si konsensus i opinioneve”, deklaroi ai.
I pari i PSD-së tha se meqë Kurti kishte premtuar për zhbërje të Speciales, tashmë e ka mundësinë ta bëjë një gjë të tillë.
Molliqaj ka përkujtuar edhe deklaratat naive të Kurtit drejt ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.
“Kështu matet partia në pushtet. Ndryshe, vërtetohet thënia “Shko Hashim”. Vërtetohet edhe ndërhyrja nga burgu për ta pamundësuar shfuqizimin e Ligjit”.