Edhe Bashkësia Islame e Kosovës ka dalë në mbështetje të marshit për drejtësi në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në parabugim në Hagë.
Në një postim në llogarinë zyrtare në Facebook, BIK-u ka vlerësuar lartë sakrificën për liri dhe pastërtinë e luftës së drejtë të UÇK-së, transmeton Gazeta10.
BIK po ashtu ka ftuar besimtarët myslimanë që në ‘emër të sakrificës sublime të UÇK-së dhe për hir të dëshmorëve’, t’i bashkohen marshit qytetar e solidarizues të dielën në Prishtinë duke filluar nga ora 14:00.
“Me këtë rast, Bashkësia Islame e Kosovës, fton dhe bën apel te të gjithë besimtarët që në shenjë respekti e vlerësimi për sakrificën sublime të UÇK-së, dhe për hir të të gjithë atyre deshmorëve që dhanë jetën për liri, të marshojmë të gjithë së bashku për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, në mënyrë që t’i dalim zot vlerave tona të shenjta.”, thuhet mes tjerash në njoftim.
“Marshi për drjetësi” është organizuar nga platforma “Liria ka Emër” do të mbahet të dilen prej orës 14:00, dhe nisë nga sheshi “Zahir Pajaziti” duke vazhduar te sheshi “Skënderbeu”.
Postimi i plotë:
Bashkësia Islame e Kosovës përkrah dhe mbështet marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria Ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Bashkësia Islame e Kosovës beson fuqishëm në pastërtinë e luftës së drejtë të UÇK-së dhe vlerëson lart sakrificën e UÇK-së për lirinë e vendit, si një nga vlerat më të larta e të shenjta të popullit tonë.
Me këtë rast, Bashkësia Islame e Kosovës, fton dhe bën apel te të gjithë besimtarët që në shenjë respekti e vlerësimi për sakrificën sublime të UÇK-së, dhe për hir të të gjithë atyre deshmorëve që dhanë jetën për liri, të marshojmë të gjithë së bashku për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, në mënyrë që t’i dalim zot vlerave tona të shenjta.
Bashkësia Islame e Kosovës, nesër, në hytben e xhumasë, në të gjitha xhamitë e Kosovës do t’u bëjë thirrje besimtarëve t’i bashkohen marshit për drejtësi.
Zoti e bekoftë Kosovën!