Kryesuesi i Bordit të ZRre-së, Ymer Fejzullahu ka thënë se ZRrE-ja e ka respektuar pjesën e tyre, sa i përket marrëveshjes Kosovë-Serbi për energjinë.
Sipas Fejzullahut, pikat tjera janë përgjegjësi e palëve të tjera për t’i plotësuar.
“Një prej pikave që ka qenë obligim i ZRRE-së, ne e kemi përmbush. Ajo ka qenë dhënia e licencës konform Marrëveshjes së Brukselit. Ndërsa pikat tjera janë obligime për palë tjera. ZRRE-ja si palë mbështetëse në këtë rast e grupit negociator është duke i kryer obligimet e saj karshi kësaj marrëveshje. Ndërsa palët tjera mbetet që t’i kryejnë obligimet siç është përcaktu në udhërrëfyes”, ka thënë ai gjatë raportimit përpara Komisionit për Ekonomi.
I pyetur se a do të paguajnë qytetarët më shtrenjtë për veriut nëse hyjnë në fuqi tarifat me rritje, Fejzullahu ka thënë se prej 2018 qytetarët nuk paguajnë për atë pjesë, transmeton teve1.info.
“Deri në 2018 kostoja e veriut ka qenë e përfshirë në kuadër të tarifave të konsumatorëve. Nga viti 2018 ajo kosto nuk është e përfshirë në tarifat e konsumatorëve dhe si e tillë nuk hyn. ZRRE-ja edhe sikur të don me e përfshi nuk ka të drejtë meqenëse ka një vendim të Gjykatës. Prandaj tarifat që janë të propozume për këtë vit, vitin e kalum edhe prej vitit 2018, asnjëherë, asnjë cent, asnjë kosto nuk është e përfshirë në kuadër ta kalkulimit të tarifave në kuadër të rregullatorit”, i është përgjigjur ai pyetjes së deputetit Pal Lekaj.