Dorëheqjet e katër kryetarëve në veri të vendit që erdhën si shenjë revolte kundër vendimit për targa çuan në vendimin e Presidentes për shpalljen e zgjedhjeve. Osmani caktoi 18 dhjetorin në fillim si datë për mbajtjen e zgjedhjeve, por tensionet në veri u pasuan me shtyrje të tyre për 23 prill.
Herën e parë, shtetet e QUINT’it inkurajuan Osmanin për ta lëvizur afatin, por kësaj radhe, përkundër mospjesëmarrjes të Listës Srpska, ato aprovojnë procesin.
Sidoqoftë, meqë partia kryesore e serbëve që ka edhe mbështetjen nga Beogradi nuk do të jetë në listë për ta votuar, janë rritur shqetësimet se si do të zhvillohet situata.
KFOR thotë se aktualisht nuk ka indikatorë që tregojnë se siguria në veri është e rrezikuar,shkruan GE.
“KFOR është duke monitoruar situatën. Edhe pse siguria për zgjedhjet është nën përgjegjësinë e Policisë së Kosovës, nuk ka indikatorë të rinj në këtë moment rreth rrezikut të sigurisë për zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës”.
Megjithatë, KFOR zotohet se është i gatshëm për çdo skenar të mundshëm.
“KFOR-i, sipas Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ruan lirinë e lëvizjes dhe një mjedis të sigurt duke mbajtur një nivel të lartë të gatishmërisë për t’u përballur me çdo skenar të mundshëm”.
Analisti serb, Dushan Janjiq, ka ngritur shqetësimin se nëse zgjedhjet në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe mbahen më 23 prill pa pjesëmarrje e Listës Serbe, “është realiste të presim rindërtimin e barrikadave”.
Ndërkaq, Shtetet e QUINT’it i kanë mbështetur zgjedhjet lokale në veri që do të mbahen më 23 prill. Përmes një deklaratë të përbashkët, ditë më parë shtetet e QUINT’it shprehen keqardhje që Lista Serbe nuk po merr pjesë në këto zgjedhje.
“Na vjen keq që Lista Srpska nuk e shfrytëzoi të drejtën demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Të sigurohet që ato të mbahen në një mënyrë paqësore dhe e rregullt është thelbësore. Presim që autoritetet përkatëse të veprojnë me profesionalizëm. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën, e cila prishin zgjedhjet”, thuhej në deklaratën e tyre.
Ndryshe, Lista Srpska ka thënë se vendimi i saj për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës është “si pasojë e dhunës së vazhdueshme institucionale të ushtruar ndaj popullit serb nga regjimi i Albin Kurtit, duke privuar serbët nga të gjitha të drejtat”.
Komunat veriore janë pa kryetarë që nga dorëheqja e serbëve në nëntor të vitit të shkuar, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave ilegale.