Kombëtarja e Kosovës në futboll sonte rikthehet të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kosova do të ballafaqohet me kombëtaren e Andorrës me fillim nga ora 20:45, në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian “Euro2024”.
Në ndeshjen e parë të këtij cikli kualifikues, Kosova barazoi në udhëtim ndaj Izraelit me rezultatin 1:1. Ndërkohë, Andorra humbi nga Rumania në shtëpi me rezultatin 0-2.
Para kësaj ndeshjes, trajneri i njohur shqiptar, Zekirja Ramdani tha për ‘GazetaBlic Sport’ se nuk duhet të mendohet asnjë rezultat tjetër përveç fitores në këtë takim.
Ramadani poshtu tha se Kosova duhet ta ketë dominimin absolut në ndeshje dhe gjithashtu që më pas trajneri të ketë komoditetin për t’i përdorur edhe lojtarët që nuk kanë pasur minutazh në ndeshjet e kaluara.
“Duke parë ndeshjen kundër Izraelit, me pak fat në fund të ndeshjes, Kosova do të kishte marrë 3 pikë, por edhe me ndarjen e pikëve duhet të jemi të kënaqur. Mirëpo, për cilësinë që ka Kosova, mendoj se në ndeshjen e radhës kundër Andorrës, nuk duhet të mendohet asnjë rezultat tjetër përveç fitores. Kosova ka obligim të posedojë topin dhe të krijojë shanse, e më pas nëse ka rezultat të thellë, trajneri ka mundësi të provojë çdo futbollist që nuk kishte mjaftueshëm minutazh në kombëtare”, tha Ramadani.