Është përmbyllur dëshmia e dëshmitarit të parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, në rastin ku akuzohet Pjetër Shala për krime lufte në Kukës, ndërmjet datave 17 maj 1999 dhe 5 qershor 1999.
Dëshmia e parë në këtë rast u përmbyll pasi dëshmitari iu përgjigj pyetjeve të mbrojtjes së të akuzuarit dhe të trupit gjykues.
Në pyetjet e gjyqtarit rezervë Vladimir Mikula, dëshmitari u përgjigj se babai i tij e ka humbur shikimin tetë vjet pas torturave ku, sipas tij, ishte i përfshirë i akuzuari Shala.
Pas përfundimit të dëshmisë së tij kryetarja e trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Speciales, Mappie Veldt-Foglia, e ka udhëzuar dëshmitarin që të mos e diskutojë me askënd dëshminë e tij para Gjykatës Speciale.
Shqyrtimi gjyqësor i sotëm pritet të vazhdojë me një dëshmitar tjetër.