Pajtimi i kryeministrit Albin Kurti me Planin e BE-së dhe aneksin e zbatimit ka nxitur reagime të shumta në vend. Kjo ujdi dhe pranimi i Asociacionit mund të provokojë edhe zgjedhje të reja në Kosovë.
Mundësinë e zgjedhjeve të reja e kanë përmendur edhe përfaqësuesit e pozitës dhe ata të opozitës.
Zyrtarët e partisë në pushtet kanë bërë me dije se zgjedhjet janë opsion, nëse kërkohet që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të këtë kompetenca ekzekutive. Kurse opozita, pretendon se zgjedhjet duhet të organizohen për faktin se kryeministri Albin Kurti nuk i ka mbajtur zotimet në raport me dialogun me Serbinë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se zgjedhjet e reja mund të mbahet për shkak të Asociacionit.
Në një emision në Tëvë1, ai ka treguar se kompetencat ekzekutive për asociacionin do të nënkuptonin ndryshime kushtetuese.
Sipas tij, një gjë e tillë nënkupton zgjedhje të reja.
“Kemi marrë garanci të forta që asociacioni do të jetë një lloj forumi. Por, nëse kërkohet që asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive ose të bëhet me ndryshime kushtetues, mendoj që asgjë më nuk ka vlerë dhe vendi duhet të shkoj në zgjedhje.”, ka thënë Konjufca.
Kurse, ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se darkodimet e Ohrit janë shkelje e premtimeve të kryeministrit Kurti për dialogun.
Sipas tij, në këtë proces kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani nuk kanë respektuar asnjë zotim të tyre.
“Sa i përket dialogut, koalicioni Kurti-Osmani ka hyrë në kontratë me qytetarët e Kosovës më 14 shkurt 2021 me këto kushte: 1. Nuk ka Zajednicë dhe asociacion, siç thoshin “as asi, e as ksi”; 2. Nuk ka dialog pa kërkim falje; 3. Nuk ka dialog pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve; 4. Rishikim/vlerësim i të gjitha marrëveshjeve të mëparshme; 5. Dialog vetëm për marrëveshje finale për njohje reciproke; 6. Reciprocitet me Serbinë në çdo gjë, që vendoset brenda javësh pas formimit të Qeverisë; 7. Të njëjtat të drejta për shqiptarët në Luginën e Preshevës sikurse për serbët në Kosovë”, ka shkruar Hoti në profilin e tij në “Facebok”.
Ai ka bërë me dije se qytetarët e Kosovës janë mashtruar dhe për ketë duhet të shkohet në zgjedhje të reja.
“Marrëveshja e Ohrit bie në kundërshtim me të gjitha këto kushte. Njerëzit janë mashtruar. Duhet mandat i ri bazuar në këtë marrëveshje. Duhet të dalin edhe njëherë para qytetarëve me qëndrimet e reja të qeverisë”, ka shkruar Hoti.
Edhe analisti Jusuf Thaçi ka thënë se me pranimin e Asociacionit Qeveria Kurti nuk ka më legjitimitet ta drejton vendin.
“Bazuar në atë që deklaroi sonte kryeministri Kurti në RTK në lidhje me Zajdenicën/Asociacionin, që prej sonte kjo qeveri më nuk ka legjitimitet të qeverisë me vendin, sepse nuk përfaqëson më atë që e ka proklamuar në zgjedhje (edhe para zgjedhjeve) në lidhje me Zajdenicën, bile tashmë përfaqëson të kundërtën e asaj që ka premtuar në zgjedhje. Relativizimet janë të kota, Zajdenica është Zajdenicë, nuk mund të bëhet kurrë as e mirë e as e pranueshme”, ka vlerësuar Thaçi.
Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, edhe para marrëveshjes kishte deklaruar se çfarëdo ujdi në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet ta çon vendin në zgjedhje të reja.
“Edhe nëse ka marrëveshje gjithëpërfshirëse, vendi ka me shku 3 muaj deri në 6 muaj pas asaj në zgjedhje, edhe nëse ka një marrëveshje vendi domosdoshmërisht ka me shku në zgjedhje”, kishte thënë Haziri në Tëvë1.
Zgjedhjet e fundit nacionale ishin mbajtur më 14 shkurt 2021. Në këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje kishte marrë mandat të fuqishëm, duke fituar 51 për qind të votave të qytetarëve.