Kryesia e klubit të futbollit Prishtina ua ka ofruar futbollistëve një super-premi nëse arrijnë të kalojnë në rrethin e parë kualifikues të Europa Leagues pas ndeshjes së sotme në Gjibraltar me ekipin St Joseph’s
FC Prishtina do ta zhvillojë sot një ndeshje të vështirë në Europa League, shkruan Gazeta Express.
Bardhekaltrit do të përballen në Gjibraltar me ekipin St Joseph’s, me të cilin barazuan me rezultat 1:1 në ndeshjen e parë të rrethit parakualifikues, të zhvilluar në Prishtinë javën që shkoi.
Tash, prishtinasve iu nevojitet fitorja ose barazimi me dy e më shumë gola, nëse duan të shkojnë tutje.
Dhe, për ta arritur këtë, futbollistët do të kenë motiv të madh pasi kryesia e klubit ua ka ofruar atyre një premi të majme.
“Dreka para ndeshjes, Prishtina – St Joseph’s. Kryetari i klubit ka ofruar 50.000 euro për ekipin për kalimin e raundit. Përpara djem”, thuhet ne njoftimin e klubit më të madh në Kosovë.
Ndeshja ndërmjet St Joseph’s dhe Prishtinës do të zhvillohet sot duke filluar nga ora 17:45.