Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula vlerëson se energjia e dhënë procesit për normalizimin e marrëdhenieve me Serbinë tash e 10 vite, është stërlodhje dhe mund të konsiderohet si e dështuar.
Ai thotë se deri tani, asnjë Qeveri nuk ka mundur t’i bëjë ballë Serbisë e vetme.
“Në këtë qershor bëhen plot 10 vite qe neve kemi një Ligj mbi normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Dhe 10 vite kohë është konsum, është lodhje, është stërlodhje madje, është energji e cila i është dhënë këtij procesi që tashmë mund ta konsiderojmë lirisht si të dështuar. Pra për dhjetë vite ne nuk kemi arritur të përmbushim ato gatishmëri politike të kohës, dhe sot merremi përsëri me të njëjtat tema. Dhe tema të cilat vërtetë politikën aktive e kanë lodhur, e kanë konsumuar, dhe fatkeqësisht asnjëra Qeveri që nga atëherë e deri më sot, e vetme nuk ka arritur t’i bëjë ballë temave dhe nuk ka arritur t’i bëjë ballë Serbisë, sepse natyrisht dihet që kemi raporte të disbalancuara ndërmjet nesh, qoftë në kuptimin ekonomik, qoftë në kuptimin ushtarak, qoftë në kuptimin diplomatik”, deklaroi ai në “Info Nata” në Tëvë 1.
Pula theksoi se pozita dhe opozita duhet të bëhen bashkë, në mënyrë që t’i bëjnë ballë më lehtë pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës.
“Ajo çfarë unë vazhdimisht kam bërë thirrje, që pozitë edhe opozitë të bëhen bashkë për sa i takon kësaj teme në mënyrë që Qeveria, jo e vetme, të mund ta përballojë më lehtë këtë temë, për sa i takon Serbisë. Sepse e kemi dëshmi që asnjë Qeveri në të kaluarën nuk ka mundur t’i bëj ballë e vetme. Prandaj në vazhdimësi kam bërë thirrje që të përbashkohen në mënyrë që bashkërisht t’i bëjmë ballë më lehtë të gjitha atyre pretendimeve serbe kundër Kosovës”, shtoi njohësi i çështjeve politike.