Cristiano Ronaldo nuk arriti ta japë më të mirën e vet gjatë sezonit të tij të parë me Juventusin dhe Maurizio Sarri pret nga portugezi më shumë për sezonin e ardhshëm 2019/20.
Sipas standardeve të Cristiano Ronaldos, regjistrimi i 28 golave në të gjitha garat – pas transferimit për mbi 100 milionë euro nga Real Madridi – është nën mesataren e paraqitjeve për portugezin, transmeton Gazeta Express.
Edhe trajneri i ri, Maurizio Sarri, pret nga Ronaldo një kontribut më të madh gjatë sezonit të ardhshëm. Ai beson se portugezi duhet të kontribuojë më shumë gjatë sezonit 2019/20 dhe këtë gjë ia ka thanë edhe futbollistit.
Në një takim sekret me Ronaldon dhe presidentin e Juventusit, Gianni Agnellin, në Greqi, ish-trajneri i Chelseat i bëri të ditura planet e tij për transferimet gjatë afatit kalimtar të verës dhe ka sqaruar se si planifikon ta shndërrojë pesë-herë fituesin e Topit të Artë në një makinë golash në Serie A.
Ronaldo i shënoi 44 gola në po aq paraqitje në sezonin e tij të fundit në kryeqytetin spanjoll dhe Sarri e ka shprehur përkushtimin e tij për ta ndërtuar një Juventus me pamje të re, me përqendrim te Ronaldo.
Taktikisht, Sarri synon ta vendosë Ronaldon në rolin e nëntëshit të rremë në sistemin e tij të preferuar 4-3-3, duke e përdorur Paulo Dybalan dhe Douglas Coustan si anësorë të shpejtë, në mbështetje të portugezit.
Për më tepër, Sarri i ka thënë Ronaldos se pret nga ai që t’i shënojë më shumë sesa 30 gola dhe që ta kalojë rekordin e Gonzalo Higuainit për gola të shënuar në Serie A.