Çështja e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit po vazhdon të jetë temë diskutimi që nga prilli i vitit të kaluar ku Këshilli Prokurorial i Kosovës votoi për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn. Megjithatë, lidhur me këtë votim të KPK-së, ishin shprehur të pakënaqur shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier si dhe OJQ-të në Kosovë, raporton Gazeta Sinjali.
Nga Presidenca thonë për Sinjalin se janë duke pritur “shterimin e të gjitha mundësive dhe afateve kushtetuese dhe ligjore që palët kanë për të adresuar në rrugë gjyqësore”.
‘Procedurat e zhvilluara në Këshillin Prokurorial të Kosovës për propozimin e kandidatit për Kryeprokurorit të Shtetit, siç tashmë jeni të informuar edhe nga organizata dhe vëzhgues të pavarur vendor, është përcjellë me raportime e reagime për parregullsi të shumta. Po ashtu, shqetësime lidhur me mbarëvajtjen e procedurave të zhvilluara në KPK, janë shprehur publikisht edhe nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët në vazhdimësi kanë mbështetur ndërtimin dhe zhvillimin e sistemit prokurorial në vendin tonë”, thotë Bekim Kupina, këshilltar për media në Presidencë.
Sipas Kupinës, lidhur me procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, janë zhvilluar procese gjyqësore në gjykatat e rregullta përkitazi me kontestimin që i është bërë procedurës së zhvilluar në KPK, për propozimin e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Presidentja konsideron se në dritën e vërejtjeve dhe kontestimeve serioze që i janë bërë procedurës së zhvilluar në KPK, është e nevojshme që të pritet shterimi i të gjitha mundësive dhe afateve kushtetuese dhe ligjore që palët kanë për të adresuar në rrugë gjyqësore të gjitha pretendimet për parregullsi dhe shkelje ligjore që janë ngritur lidhur me këtë procedurë, duke përfshirë edhe afatin për të proceduar lëndën në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Kupina.
“Dëshiroj të vëjë në dukje se nuk ekziston asnjë pengesë kushtetuese dhe ligjore që, derisa të vendoset çështja e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të ushtrojë të gjitha kompetencat dhe të kryej të gjitha veprimet e nevojshme, që bien brenda kompetencave të Kryeprokurorit të Shtetit”, ka shtuar më tutje Kupina.
Kupina thotë se “Presidentja si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve kushtetuese, rikonfirmon përkushtimin e saj për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, brenda afateve dhe autorizimeve të saja kushtetuese, që kontribuojnë në pavarësinë dhe integritetin e sistemit prokurorial dhe që forcojnë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”.
Ndryshe, shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyogu ishte shprehur i zhgënjyer dhe i habitur për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit.
Ai përmes një reagimi tha se BE-ja në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor, e që sipas tij KPK i ka shpërfillur këto parime.
Po ashtu, edhe ambasadori gjerman Jorn Rohde tha se ky proces është vërtetë zhgënjyes dhe jo rruga përpara e Kosovës.
“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shkroi në Twitter ambasadori Rohde.
Reagime pati edhe nga ambasadori amerikan, Jeffrey Hoevenier duke thënë se fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard.
“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard. Jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK, si institucion publik”, tha ai.
Kundër këtij vendimi dolën edhe tri organizata të shoqërisë civile të cilat i kishin kërkuar presidentes të mos e dekretoj Isufajn për kryeprokuror të vendit.
Në një raport të publikuar më 24 mars 2022 nga Koalicioni i OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ky koalicion ka rekomanduar të anulohet procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe të shpallet konkurs i ri.