Mijëra qytetarë serbë të Kosovës vazhdojnë punën në institucione paralele, të financuara dhe menaxhuara nga shteti i Serbisë, që nga paslufta më 1999.
Serbia ndan dhjetëra-miliona euro për to çdo vit.
Komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme, si dhe universitete publike, të financuara drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, ka në shumë qytete të Kosovës, ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb.
Këta mekanizma, edhe pse jolegalë sipas ligjeve të Kosovës, nuk janë ndalur së vepruari, pavarësisht se Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.
Një marrëveshje për shuarjen e tyre është arritur në prill të vitit 2013, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj i plotë në terren lë për të dëshiruar.
Një pjesë e komunitetit është integruar vetëm në disa institucione, si policia apo gjyqësia.
Në kuadër të dialogut, Kosova dhe Serbia janë pajtuar edhe për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që do të kishte “juridiksion të plotë” në fusha të caktuara, si: planifikimi hapësinor, shëndetësia, arsimi, zhvillimi ekonomik e kështu me radhë.
Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk e ka zbatuar kurrë këtë marrëveshje, me arsyetimin se mund ta kërcënojë funksionalitetin e shtetit.
Në një takim në Ohër, më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për zbatimin e një marrëveshjeje të re drejt normalizimit, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Kjo marrëveshje, mes tjerash, parasheh që komunitetit serb në Kosovë t’i sigurohet një “nivel adekuat i vetëmenaxhimit”.
Saktësisht se për çfarë bëhet fjalë, nuk dihet ende.
Në një raportim para Kuvendit të Kosovës, më 23 mars, Kurti ka thënë se “vetëmenaxhimi nuk është as vetëqeverisje, as vetadministrim” dhe ka shtuar se nuk mund t’iu shmanget marrëveshjeve të mëhershme me Serbinë.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së marrëveshjes për normalizim, që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në një intervistë për REL-in, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se strukturat paralele të Serbisë që funksionojnë në Kosovë, do të futen në kuadrin ligjor të Kosovës kur ta formojë Asociacionin.
“…kështu që ato nuk do të jenë të udhëhequra nga Serbia, por nga Kosova, përmes Asociacionit”, ka thënë Escobar.
Por, ku gjenden këto struktura dhe si funksionojnë?
Sipas të dhënave publike të Qeverisë së Serbisë, në territorin e Kosovës, Serbia ka mbi 20 komuna paralele aktive.
Disa prej tyre kanë pak staf, por ato më të mëdhatë, si komuna paralele e Prishtinës me seli në Gracaniçë apo komunat paralele në veriun me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë staf më të madh dhe kryejnë detyra të përditshme, ngjashëm si komunat zyrtare dhe të ligjshme të krijuara nga institucionet e Kosovës.
Duke qenë se komuna paralele e Prishtinës është më e madhja në Kosovë, REL-i ka vizituar objektin e saj në Graçanicë, por aty nuk është lejuar qasja e as fotografimi.
Kohë më parë, REL-i ka vizituar edhe komunën paralele serbe në Zveçan. Ajo është në të njëjtin objekt me Komunën e Zveçanit, të krijuar nga institucionet e Kosovës.
Në disa raste, kryetarët dhe stafi serb janë të njëjtë – punojnë edhe për sistemin e Kosovës, edhe për atë të Serbisë.
Qeveria e Serbisë emëron rregullisht persona në poste udhëheqëse në komunat e saj paralele në Kosovë.
Më 23 korrik, 2021, Qeveria e Serbisë emëroi drejtues dhe anëtarë në këto 16 komuna paralele në Kosovë: Kaçanik, Skenderaj, Fushë Kosovë, Shtime, Deçan, Podujevë, Prishtinë, Dragash, Vushtrri, Istog, Pejë, Gjakovë, Rahovec, Zveçan, Suharekë, Leposaviq.
Mbi 70 shkolla të Serbisë në Kosovë
Që nga përfundimi i luftës së viteve ‘98-‘99 e deri më sot, Serbia ka ruajtur sistemin e saj arsimor në Kosovë. Më shumë se 70 shkolla të të gjitha niveleve, të menaxhuara e financuara nga Serbia, funksionojnë në territorin e Kosovës.
Ato kanë plan-programet e tyre. Për shembull, një nxënës serb i klasës së dytë mëson nga i njëjti libër sikurse një nxënës i klasës së dytë në Serbi.
Disa përpjekje të institucioneve të Kosovës për t’i integruar këto shkolla në sistemin e arsimit të Kosovës, kanë rezultuar të pasuksesshme.
Serbia udhëheq edhe universitete në Kosovë. Universiteti paralel i Prishtinës ndodhet në Mitrovicë të Veriut.
Ai nuk i jep llogari shtetit të Kosovës dhe nuk ka fare lidhje me sistemin arsimor në Kosovë. Financohet dhe menaxhohet nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë.
Numri i saktë i punëtorëve të arsimit që punojnë në sistemin paralel të Serbisë në Kosovë, nuk është publik.
Sistemi paralel i shëndetësisë
Ambulanca, spitale dhe qendra të tjera shëndetësore financohen dhe menaxhohen nga shteti i Serbisë në pjesë të ndryshme të territorit të Kosovës.
Qendra të mjekësisë familjare ka në shumicën e fshatrave ku jeton komuniteti serb.