24 vjet më parë, forcat serbe, fillimisht kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të rreth 50 anëtarëve të familjes Berisha në Suharekë e më pas viktimat e të plagosurit i kishin bartur në një kafiteri, ku i kishin gjuajtur me bomba, për t’u siguruar se askush s’do të mbijetonte.
E tëra kishte nisur kur te shtëpitë e kësaj familjeje, që nuk ka qenë më larg se 100 metra nga stacioni policor i Suharekës, ishin shfaqur paramilitarët serbë, që disa i kishin vrarë në pragun e shtëpisë e të tjerët i kishin dëbuar nga shtëpia e tyre, duke i dërguar në lokalin kafiteri, ku edhe kishte ndodhur masakra.
Nga kjo masakër kishin mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha. Këta të tre gjatë transportit të viktimave të drejt Prizrenit, kishin kërcyer nga kamioni që ka qenë në lëvizje për të shpëtuar. Sipas rrëfimeve të Vjollca Berishës, në kamionin kishte pasur edhe të tjerë që kishin qenë gjallë, por të plagosur.
Para pak vjetësh, ishin gjetur dhe varrosur eshtrat e Bujar Berishës, Faton Berishës, Nexhat Berishës dhe Arta Berishës, nën nderimet ushtarake. Por, ende nuk janë gjetur eshtrat e të gjithë anëtarëve të familjes Berisha.