Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka folur të enjten në Universitetin e Shkodrës rreth sfidave dhe të ardhmes së Kosovës ndër të tjera foli edhe për marrëveshjen e Ohrit.
Sejdiu tha se kjo marrëveshje është pjesë e përpjekjeve për bashkëpunimin e nevojshëm mes dy vendeve.
“Them se kemi kapërcyer disa faza të ecjes tonë deri tash. Them se tekst më të mire, se tekst më esencial se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, që përfundon procesin e pavarësimit të Kosovës, nuk ka. Gjithë të tjerat janë pjesë e përpjekjeve për të vënë relacionet ndërshtetërore në kuptim të një bashkëpunimi të nevojshëm të të dy vendeve fqinje.” ka thënë Sejdiu, përcjell Reporteri.net.
Ish-presidenti Sejdiu vlerësoi planin franko-gjerman dhe investimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në një kohë kur Rusia përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në rajonin e Ballkanit.
“Dokumenti i panënshkruar është një dokument atipik në kuptimin e një metodologjie të re, sikur e kemi edhe rastin e mahershëm në kohën e marrëveshjes me Presidentin Trump. Uroj për të përfunduar kjo lëvizje apo, ta quajmë lojë, nëse Serbia dëshiron të luaj siç e ka bërë deri tash. Të ketë një kthesë të veçantë pozitive, sepse është në interes edhe për popullin serb që të ndërpresë këtë lojë që e ka gjuhën, e ka stilin dhe metodologjinë e ndjekur nga Millosheviçi.”
Barra e marrëveshjes, tha ish Presidenti Sejdiu, bartet në kapitullin 35 të iniciativës franko-gjermane dhe kushtëzimeve që i jepen Serbisë. Prandaj, është e rëndësishme që të mos pengohet fryma e këtij dokumenti, pavarësisht se ka ndonjë çështje që njerëzit mund të kenë qasje legjitime për t’u shqetësuar. Ish-presidenti Sejdiu vuri theksin në garancitë që kanë ofruar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Të shikojmë me kohë se si do të ndodhë. Unë them gjithmonë se, SHBA janë një lloj garantuesi në këtë proces dhe nuk ndalen nga mbajtja e “timonit të përbashkët”, në këtë rast me BE-në, për të lëvizë çështjet si duhet, në kuptimin e hyrjes në një fazë të re të raporteve të mira dhe jo të raporteve që i don Vagneri apo i don garda e Car Llazarit apo patriarkët e dikurshëm”.
I pyetur në lidhje me qëndrimet e ndryshme të forcave politike në Kosovë mbi marrëveshjen e Ohrit, ish-presidenti Sejdiu tha se kjo është çështje demokracie dhe shtoi se është thelbësore të ecet me kujdes në zbatimin e kësaj marrëveshje, me qëllim që secili, në shtëpinë e vet, të marrë atë që i takon.
Marrëveshja e Ohrit pasoi përpjekjet e diplomacisë perëndimore për t’i hapur rrugë normalizimit të marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet Kosovës e Serbisë. Por ajo ka nxitur dyshime dhe shqetësime si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi. Marrëveshja nuk kërkon njohjen e ndërsjelltë ndërmjet të dyja vendeve, por që palët të respektojnë sovranitetin dhë tërësinë tokësore të njëra- tjetrës.