Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme, e miratoi një marrëveshje për lirinë e vizave me qëndrim të shkurtër me Kosovën, raporton teve1.info
Sipas një njoftimi të BE-së, me 47 vota pro, 8 kundër dhe 4 abstenime, komisioni dha dritën jeshile për miratimin përfundimtar të legjislacionit, i cili do t’i lejojë qytetarët e Kosovës të udhëtojnë në BE – dhe qytetarët e BE-së të shkojnë në Kosovë – pa kërkuar një vizë, për periudha deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.
Komisioni për Liritë Civile e kishte miratuar në janar marrëveshjen e arritur me Këshillin në dhjetor 2022 për liberalizimin e vizave me Kosovën.
Puna për dosjen filloi gjatë legjislaturës 2014-2019 dhe Parlamenti e mbylli qëndrimin e tij në lexim të parë në fund të atij mandati.
“Pas marrëveshjes së dialogut të dhjetorit dhe miratimit nga Këshilli të pozicionit të tij në leximin e parë më 10 mars, Parlamenti do të japë miratimin përfundimtar gjatë seancës plenare të 17-20 prillit në Strasburg.
Përjashtimi i vizave do të hyjë në fuqi sapo të jetë vendosur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), dhe në çdo rast deri në vitin 2024”, thuhet ndër të tjera në njoftim.