Policia e rajonit të Prishtinës në kuadër të punës së saj, ka intensifikuar veprimet e saj në drejtim të identifikimit dhe kapjes së personave që kanë shtrirë aktivitetin e tyre kriminal në fushën e shitblerjes së substancave narkotike.
Një nga kontrollet është ndërmarrë mbrëmë rreth orës 17:30, në rrugën “Ferid Curri” në Prishtinë, nga njësitet e stacionit veriu.
Mbështetur mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, në rrugën e sipër shënuar është kryer një kontroll, ndaj tre personave të dyshuar, njërit prej të cilëve i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri si dhe një sasi e substancës narkotike që dyshohet të jetë e llojit kanabis dhe një sasi kokainë.
Ndaj personit të dyshuar është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge si dhe armëmbajtje pa leje.