Kryeministri Albin Kurti, pranoi sonte se në planin evropian ka asociacion, anise mes tjerash, atë e shtjellonte duke e prezantuar në kuadër të vetëmenaxhimit të komunitetit serb.
Sidoqoftë, pavarësisht kësaj, është opinionisti Adriatik Kelmendi, i cili që nga 27 shkurti ndoqi nga vendi i ngjarjes në Bruksel takimet mes palës kosovare dhe asaj serbe, ai që tashmë ka shprehur publikisht dy dilema mbi këtë çështje.
”Pse duhet të ketë Asociacion me bazë etninë, ose vetëmenaxhim të një komuniteti etnik, në një shtet multietnik, me vende të rezervuara për pakicat etnike dhe shumicë të dyfishtë në Kuvend?!”, shprehet Kelmendi, që njëherit edhe drejtor ekzekutiv i Klan Kosovës.
Çka tha sonte kryeministri Albin Kurti?
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në planin evropian përfshihet edhe zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
”Ka asociacion në planin evropian”, është shprehur Kurti për RTK, përcjell KlanKosova.tv.
”Në nenin 10 të dy palët konfirmojnë zbatimin e marrëveshjeve të kaluara që ngelin valide dhe të obligueshme. Janë 39 marrëveshje”, ka theksuar Kurti.
Teksa më pas, ai u tregua kontradiktor, duke kritikuar analistët politikë se po bëhen kreativ duke e imagjinuar asociacionin anise nuk ekziston në aneksin e Ohrit.
”Duhet shumë kreativitet dhe imagjinatë, që vetëmenaxhimin ta bëjmë asociacion”.
”Unë po e shoh, me aq sa kam vërejtur, nëpër studiot televizive, të gjithë janë bërë artista se si ta interpretojnë vetëmenaxhimin si asociacion, a fjalën asociacion nuk e ke”.
”Nuk po flas për media. Po flas vetëm për njerëz, analista politikë të cilët, në vend se ta ndihmojnë ofenzivën e Kosovës në katër nenet e para, provojnë ta gjejnë fjalën ”asociacion” që s’është askund”.