Katër muaj pas Kampionatit Botëror në Katar, rikthehen në qendër të vëmendjes ndeshjet e reprezentacioneve të futbollit.
Nga nesër fillon aventura e përfaqësueseve në ndeshjet kualifikuese për EURO 2024.
Kualifikimet për Kampionatin Evropian do të fillojnë ashtu siç kishte mbaruar para 3 vitesh, me ndeshjen finale ndërmjet Italisë dhe Anglisë, me ç’rast azurët arritën deri te trofeu i shumë dëshiruar.
Këta dy skuadra do të ndeshen në kuadër të grupit C.
Shqipëria në grup të balancuar
Përfaqësuesja e Shqipërisë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian do të ketë një grup më të balancuar. Grupin E, përveç Shqipërisë e përbëjnë edhe Polonia, kundërshtar ky i pari i Shqipërisë dhe Çekia të cilët gjenden më lart në listën e FIFA-s, ndërsa Ishujt Faraoe dhe Moldavia që radhiten më poshtë se Shqipëria.
Kosova me skuadra mesatare
Kosova ishte e pafat në ndeshjen vendimtare kundër Maqedonisë së Veriut për t’u kualifikuar në Kampionatin e kaluar Evropian.
Kështu, kësaj radhe kosovarët do të përpiqen që të sigurojnë një biletë për Gjermani në EURO 2024 kundër Zvicrës, Izraelit, Rumanisë, Bjellorusisë dhe Andorës.
Në këtë grup Kosova do të ballafaqohet me skuadra të kategorisë së mesme sipas radhitjes së FIFA-s, që i bën të shpresojnë për kualifikim të mundshëm në turneun më të madh evropian.
Maqedonia e Veriut me kampionët
Reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut ndodhet pikërisht në grupin e finalistëve të kaluar të Kampionatit Botëror, Italinë dhe Anglinë, ku përveç të tjerash do të ballafaqohet edhe me Ukrainën dhe Maltën.
Kështu, pas shortit ky grup mori epitetin grupi i zjarrit për Maqedoninë e Veriut.
Ndeshjen e parë Maqedonia e Veriut do ta zhvillon me kundërshtarët më të lehtë në letër, Maltën e cila radhitet thuajse tri herë më poshtë në rang listën e FIFA-s, gjegjësisht në vendin e 168-të.
BeH-ja mund të shpresojë
Reprezentacioni i Bosnjë e Hercegovinës (BeH) ndonëse do të jenë në një grup me ish-kampionët evropianë, Portugalinë, kundërshtarët e tjerë janë mesatarë, ose nën nivelin e tyre si Islanda, Kazakistani, Sllovenia dhe Lihtenshtajni.
Në këtë grup Portugalia llogaritet favorite absolute për vendin e parë, ndërsa BeH-ja do të synojë vendin e dytë, që po ashtu mund t’i sigurojë një vend në EURO 2024.
Serbia dhe Mali i Zi në të njëjtin grup
Dy shtete të cilat deri në pavarësimin e Malit të Zi në vitin 2006, ishin një, tani do të ballafaqohen mes vete në kualifikimet e Kampionatit Evropian.
Serbia e cila është favorite absolute në letër, të paktën sipas renditjes së FIFA-s, përveç Malit të Zi në të njëjtin grup do ta ketë edhe Bullgarinë, Hungarinë dhe Lituaninë.
Gjermania, nikoqire e EURO 2024
Gjermania do të presë EURO 2024, pasi është zgjedhur për të organizuar edicionin e 17-të të Kampionatit Evropian të UEFA-s në një takim të Komitetit Ekzekutiv të Uefa-s në Nyon më 27 shtator të vitit 2018. Türkiye ishte i vetmi vend tjetër konkurrues.
Ky kampionat do të zhvillohet në dhjetë qytete të Gjermanisë nga 14 qershori deri më 14 korrik të vitit 2024.
Kujtojmë se Gjermania Perëndimore priti Edicionin e vitit 1988, por kjo do të jetë hera e parë që Gjermania organizon Kampionatin Evropian të UEFA-s që nga ribashkimi.
Në Gjermani u zhvillua edhe Kampionati Botëror i vitit 2006.