Veton Surroi e ka shtuar angazhimin e tij në mbrojtje të kryeministrit pasi vajza e tij u punësua në Zyrë të Kryeministrit Kurti. Ai sulmoi sot Petrit Selimin duke thyer heshtjen e zakontë dhe replikoi me analistin Uk Lushi. Këto i bëri online, në rrjetet sociale.
Duke parë se Selimi kishte marrë një koment nga diplomati gjerman Wolfgang Petrisch, e ku thuhej që versioni final ishte shumë më i keq se ai i mëparshmi, Surroi duket se nuk i ka rezistuar tundimit për të reaguar.
“Nuk është ide e mirë që madje as të përmenden përpjekjet që i keni provuar dhe i keni dështuar ju (marrëveshjet e dobëta, shkëmbimi i territoreve). Tash kemi akterë të rinj, kornizë të re, edhe pse plan të dobët të zbatimit. Të përmirësohemi duhet të jetë forca që na nxit e jo kthimi mbrapa”, i komentoi Surroi, ish-zv/ministrit Selimi.
Sulme të tilla direkte në replikime nuk janë parë më herët nga Surroi, megjithëse duhet thënë se ai ishte kundërshtar i ish-presidentit Thaçi në vazhdimësi.
Atij i komentoi veprimtari nga ShBA-të, Uk Lushi duke ia kontestuar argumentin se tashmë kishim “akterë të rinj” (pra, Kurtin në vend të Thaçit).
“Planet nuk duhet të varen në akterë (të rinj apo të vjetër). Akterët shkojnë e vijnë. Ka zgjedhje të reja çdo katër vjet. Plani gjerman i quajtur si “plani franko-gjerman” dhe i mbështetur nga disa proponentë të shoqërisë civile në Kosovë është i keq në substancë. Kur substanca është e keqe, planet nuk funksionojnë,” i tha ai, duke e vërejtur se Surroi po e mbronte Kurtin.
Por, përsëri patëm një reagim tjetër nga Surroi.
“Në fakt, janë akterët (të rinj apo të vjetër) që i bëjnë dhe i zbatojnë marrëveshjet. Prandaj planet varen në ta. Në Kosovë plani evropian ka mbështetjen e partisë që i ka 50 për qind të votave”, tha ai.
Demokracia.com ka raportuar ekskluzivisht më 1 mars për punësimin e vajzës së Surroit si këshilltare për media ndërkombëtare në zyrës e Kurtit.