Gazetari dhe analisti politik, Vehbi Kajtazi, ka krahasuar kohën kur delegacioni kosovar nënshkruan në Paris marrëveshjen e vitit 1999 që solli bombardimet e NATO’s mbi regjimin e kriminelit serb, Slobodan Milosevic, me atë se çfarë u pajtua mbrëmë me palën serbe kryeministri i tanishëm i Kosovës, Albin Kurti.
Kajtazi ka thënë se në Ohër shefi i ekzekutivit kosovar arriti një marrëveshje me ish-vartësin e Milosevic tani presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic, sipas tij për ndarjen e pushtetit me Serbinë në Kosovë.
Ai beson që historia do të bëjë vend edhe ata që e larguan shtetin serb, edhe ata që po e rikthejnë.
”Fiks para 24 vjetesh, Rugova e Thaçi nenshkruan nje marreveshje e cila solli bombardimet e NATO-s mbi regjimin e Milosheviqit per ta larguar pushtetin e tij nga Kosova. Pas 24 vjetesh, nje politikan shqiptar qe eshte kryeminister i Kosoves, arriti nje marreveshje me ish vartesin e Milosheviqit per ndarjen e pushtetit me Serbine ne Kosove.
”Kete te arritur te Serbise as Milosheviqi nuk do ta kishte imagjinuar se do te ndodhte ndonjehere. Historia do te beje vend per secilin. Edhe per ata qe e larguan Serbine, edhe per ata qe po e rikthejne,” ka shkruar ai në Facebook.
Mbrëmë përmes portalit EEAS, Bashkimi Europian publikoi Aneksin e Implementimit të Marrëveshjes për Normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Pika më e nxehtë e ujdisë ajo që i përket nenit 7, njëherazi është pika më kontroverse për vet kryeministrin Albin Kurti, ajo e vetëqeverisjes së serbëve të Kosovës përmes një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.
Aty obligohet direkt Kosova që të fillojë procedurat për themelimin e kësaj niveli të vet-menaxhimit siç quhet ‘menjëherë’ siç tha Përfaqësuesi i Lartë i Komisionit Europian, Josep Borrell.