Udhëheqësi i lartë i Kinës, Xi Jinping, pritet të zhvillojë bisedime me Presidentin Vladimir Putin të Rusisë javën e ardhshme në një takim që mund të ketë implikime të reja për luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet e trazuara midis Pekinit dhe Uashingtonit.
Xi do të bëjë një vizitë shtetërore në Rusi nga e hëna në të mërkurë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kinës dhe Kremlinit.
Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Rusi që kur vendi nisi pushtimin e tij të plotë të Ukrainës më shumë se një vit më parë.
Lideri kinez mban lidhje të thella strategjike me Moskën si një fuqi e armatosur bërthamore me të njëjten strategji që kërkojnë të dobësojnë dominimin gjeopolitik të Uashingtonit.
Deklarata e shkurtër nga Kina që njoftoi vizitën e Xi të premten nuk detajonte agjendën e tij, shkruan Indeksonline.
Kremlini tha se gjatë vizitës së zotit Xi, bisedimet do të përqendrohen në “partneritetin gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimin strategjik” midis dy vendeve.
Kina e ka paraqitur veten si një palë neutrale që kërkon të ndihmojë ndërmjetësimin në luftën në Ukrainë. Vendi publikoi kohët e fundit një dokument që përshkruan një zgjidhje politike për krizën në Ukrainë, por dokumenti u kritikua gjerësisht nga udhëheqësit perëndimorë për mungesën e planeve konkrete dhe shmangien e kërkesave që mund të dëmtonin lidhjet e ngushta të Kinës me Rusinë.