Ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë, Sindikata e Re e KEK-ut ka filluar të mbajë protestë në shenjë pakënaqësie për pagat.
Krahas rritjes së pagës, punëtorët e KEK-ut po kërkojnë edhe pagesë më të lartë për shujtë, rrezikshmëri në punë, pagesën për punën në vikend sipas Ligjit të Punës, si dhe respektimin e vendimeve të gjykatës po për këtë kërkesë.
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Re i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, të mërkurën në Tëvë1 ka deklaruar se veprimet vijnë si pasojë e mosrealizimit të kërkesave për rritjen e pagave të punëtorëve.
“Ne kemi bërë kërkesë nga prilli i vitit të kaluar dhe asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje pozitive në këtë drejtim. Madje, në takimin e fundit që ishim me drejtorin menaxhues në dhjetor të vitit të kaluar, ai ka thënë se nuk do të ketë rritje të pagave. Ne kërkuam shumë herë nga Bordi takime pareshtur, nuk patëm mirëkuptim dhe rruga e vetme mbetet protesta, e që besa mund të jetë edhe greva”, ka thënë ai.